Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, do të vijojë ditën e nesërme (25 Nëntor), konsultimet me partitë dhe faktorët politikë, për datën e zgjedhjeve të përgjithshme 2025.

Orari i parashikuar për të takuar përfaqësuesit e PD-së është 10:30. Pavarësisht reagimit publik të selisë blu, se do të refuzojë konsultimet me kreun e shtetit, ai gjithsesi nuk e ka anuluar axhendën, për t’i pritur 2 përfaqësuesit e PD, që i ka dërguar edhe ftesë.

Konkretisht Sekretarit të Përgjithshëm, Flamur Noka dhe kreut të grupit, Gazment Bardhit.

Kurse takimi me përfaqësuesit e PS-së është caktuar për në orën 11:30, teksa përmbyll konsultimet me kryetarin e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, para se më tej të shprehet për datën e zgjedhjeve të ardhshme.

Më herët Begaj është konsultuar edhe me kryetarë dhe faktorë politikë të tjerë, përfshi edhe atë të PD-Demokratët Atlantikë, Lulzim Basha. Deri tani propozimet kanë qenë të ndryshme, teksa pritet që muaji Maj të caktohet për zgjedhjet dhe mungon vetëm data.