Në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit nën moton “Asnjë Justifikim: Bashkë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave”, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara në Shqipëri organizuan sot një aktivitet me pjesëmarrje të gjerë, si aktivistë, pedagogë, efektivë policie, këngëtarë, juristë, futbollistë, politikëbërës, punonjës socialë, psikologë, mësues, të mbijetuar të dhunës.
Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se në luftën kundër dhunës të gjithë kanë mundësi të japin kontributin e tyre dhe të bëjnë diferencë, që nga institucionet, partnerët, organizatat e shoqërisë civile, por mbi të gjitha, më e rëndësishmja është shembulli personal.
Ajo tha se “ndërgjegjësimi fillon nga vetvetja dhe nga mostolerimi i asnjë akti dhune, as mbi veten, as mbi të afërmin, as mbi familjarin dhe as mbi fqinjin apo qoftë të panjohurin diku në rrugë”.
Ministrja Koçiu deklaroi se “në 5-vjeçarin e ardhshëm do të vijojmë të forcojmë mekanizmin e Fondit Social, një instrument shumë i rëndësishëm financimi, me qendra të dedikuara për gratë dhe vajzat viktima të dhunës në të 61 njësitë bashkiake”.
Koçiu u shpreh se vetëm gjatë vitit 2024 në kuadër të Fondit Social me shërbimet e dedikuara për viktimat e dhunës janë 4200 përfitues në të gjithë vendin.
“Ne duam që me Fondin Social në të 61 bashkitë e vendit të ofrojmë shërbime sociale jo vetëm për dhunën ndaj grave, dhunën me bazë gjinore, por edhe për shtresat e tjera vulnerabël, edhe për fëmijët me aftësi ndryshe, për gratë kryefamiljare dhe të moshuarit. Sot mund ta themi me plot bindje që ofrojmë shërbime sociale në të 61 bashkitë e vendit nëpërmjet Fondit Social. Mes shërbimeve të ofruara sot përfshihet edhe strehim i sigurt, shërbimi shëndetësor, mbështetja psiko-sociale, asistenca juridike dhe ndihmat nga programet e mbrojtjes sociale”, vijoi ministrja.
Në përfundim të fjalës së saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “duhet të forcohet akoma më tej modeli apo shërbimi i asistencë që ofrohet në momentet e rrezikut dhe janë pikërisht strehëzat pritëse të viktimave të dhunës të cilat duhet të shtohen akoma më shumë në të gjithë territorin. Besoj se i kemi strategjitë e duhura dhe mekanizmat ligjor në fuqi për ta ngritur në një nivel tjetër të gjithë këtë luftë që bëjmë bashkarisht. Por ajo për të cilën biem dakord që të gjithë, është që kemi nevojë për një koalicion të përbashkët, të madh që të gjithë të jemi në një zë, në një front kur vjen puna tek dhuna me bazë gjinore”.
Fushata e cila ka nisur me 25 nëntor dhe do të përfundojë më 10 dhjetor, në ditën Ndërkombëtare të Eleminimit të Dhunës ndaj Grave, i dedikohet të gjitha vajzave dhe grave.
Gjatë këtij aktiviteti, nën kujdesin e veçantë të Ministres Koçiu dhe me mbështetjen e UN Women u vlerësuan kontributet e jashtëzakonshme të aktivistëve dhe profesionistëve në drejtësi, Policinë e Shtetit, shëndetësi, arsim, ofrues të shërbimeve mbështetëse për gratë dhe vajzat viktima të dhunës për të cilët u shpërndanë edhe certifikatat e mirënjohjes.
Çmimet e mirënjohjes u dhanë për disa kategori, si; Mekanizmat për barazinë gjinore dhe shërbimet për të mbijetuarat e dhunës; Drejtësia dhe Policia e Shtetit Shqiptar, Shërbimet mbështetëse të shoqërisë civile për të mbijetuarat e dhunës, Aktivizim si dhe Kontribut i veçantë në mbështetje të grave e vajzave në Shqipëri.