Nga shkolla “Besnik Sykja”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj rikujtoi sërish pensionistët e qytetit, që të paraqiten pranë njësisë së tyre administrative për të aplikuar dhe për të marrë më pas falas abonenë e përgjithshme të autobusit.

Ai tha se qindra pensionistë tashmë janë regjistruar dhe kur të dalë aboneja e muajit pasardhës, do ta marrin atë falas në njërën nga 5 pikat e vendosura në qytet.
“Kemi pasur një fluks në të gjitha njësitë administrative për t’u regjistruar për abonenë falas. Në dallim nga bonusi i qeverisë që jepet cash, ky është një bonus që do të jepet çdo muaj, me një abone 16 mijë lekëshe falas. Gjyshi ose gjyshja mjafton të paraqitet vetëm nje herë pranë njësisë së tij administrative për të vërtetuar që janë qytetarë të Tiranës. Duhet vetëm një kartë identiteti. Kemi pasur qindra qytetarë që kanë vajtur te njësitë administrative dhe deri në datën 25 dhjetor secili është i lutur të paraqitet. Bëhet një regjistrim me skaner, pra futesh në një sistem, që kur pastaj në datën 25 dhjetor deri në datën 1 janar të dalin abonetë në pikat që do të njoftohen nga Bashkia, shtetasi, pensionisti ose pensionistia, shkon vetëm me kartën e identitetit dhe një fotografi, merr abonenë e përgjithshme, ashtu siç e ka marrë gjithmonë, por kësaj herë pa pagesë”, sqaroi Veliaj.