Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet urgjentisht dhe të debatojë për Gjykatën Speciale, pas aktakuzës së re që mbrëmë u konfirmua për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Parlamenti i Kosovës duhet të mblidhet urgjentisht dhe të debatoj për Gjykatën Speciale në Hagë dhe t’i thotë STOP përndjekjeve politike”, ka shkruar ajo.
Në aktakuzën e re, Hashim Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Thaçi – i cili është duke u gjykuar nga kjo gjykatë në një rast të ndarë kundër ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.
“Së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”, thuhet në aktakuzë.
Hashim Thaçi bashkë me ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliun, do ta kenë nesër paraqitjen e parë lidhur me aktakuzën që iu konfirmua mbrëmë për ndikim mbi dëshmitarët.
Ndërkohë, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, do ta ketë paraqitjen e parë të hënën. Në njoftimin e Gjykatës Speciale thuhet se seanca do të fillojë së pari me paraqitjen e Thaçit.