Aktori Amos Zaharia ishte këtë të shtunë i ftuar në “S’e Luan Topi”, ku rrëfeu shumëçka nga jeta e tij personale dhe profesionale.
Ndër të tjera ai tregoi një detaj interesant për mbiemrin e nënës së tij, Yllka Mujo që deri tani askush nuk e dinte. Amos mban dy mbiemri, Muji Zaharia, të nënës dhe të babait… Por pse Muji dhe jo Mujo?
“Yllka Mujo e ka, dhe i mbeti ashtu… por në fakt mbiemri i trashëguar nga familja e saj e ka Muji, nga legjenda Muji dhe Lali, tanimë e ka dhe në pasaportë Mujo, sepse të gjithë e flisnin Mujo”, tha ai.
Një tjetër moment emocionues ishte dhe surpriza që nëna e tij i bëri në këtë emision, duke i shkruar një letër.
“Ditët, netët dhe vitet shkojnë i shtrenjti biri im. Por dashuria është aty, e përhershme dhe e përjetshme. Ky është filli që na lidh, që na bën qenie më të mira.
Kur ju erdhët në këtë jetë, kur ju mbajta për herë të parë në duar, kur ju shihnit me zemër tek unë vërshoi dashuria, ajo pakushte. Kështu pra shpirti im ju jeni trëndafilat e mi, të vetmit për mua në këtë botë. Unë e shtrova zemrën para jush dhe u bëmë jo vetëm prind e fëmijë, por dhe miq të rrallë.
Me gjithë sfidat që na përball jeta unë dhashë gjithë dashurinë e zemrës time, u kujdesa me gjithë fuqitë që të mos u mungonte asgjë, por mbi të gjitha të mos u mungonte dashuria. Një herë kur ishe i vogël, hapa derën e dhomës tuaj dhe pashë që po lexoje tregimet e Biblës të përshtatur për fëmijë dhe shpirti mu ngazëllye. Si mund të harroj kukullën prej druri, kukulla prej lecke që të pëlqente aq shumë. Si mund të harroju kur bëjë ndonjë gabim, shihje dëshpërimin tim dhe sytë e tu më donin me fjalë. Kur ishe i vogël më dhuroje kukulla, ndërsa sot më dhuron libra, kur ishe i vogël me jepje dorën dhe më shikoje në sy, isha mbështetja jote, ndërsa sot jam unë që të zgjas dorën dhe të shoh në sy sepse ti je mbështetja ime”, ishin këto disa nga fjalët e shkruara nga nëna e tij që e bënë të shpërthejë në lot.