Nga Artur Ajazi

Afro 26 vjet më pare, një njeriu im i afërt, iku bashkë me familjen në SHBA. Ikën me llogarinë amerikane. Në Tiranë, ai ishte drejtor shkolle, gruaja e tij ekonomiste, dhe 2 fëmijët në shkollë. Merrnin rroga të mira, gëzonin edhe shëndet të mirë. Të mos e zgjat. Pas 2 vitesh që vajtën në amerikë, (ku punonte si roje tek një qendër tregetare) kushuriri im u bë për paterica, të cilat i ka edhe sot e kësaj dite. E shoqja fshinte xhamat e 4 lokaleve dhe mbanin familjen. Fëmijët u rritën, dhe natyrisht morën drejtimin e duhur.

Ata sot nuk jetojnë me prindërit, dhe takohen bashkë 1 ose 2 herë në muaj. Kaq. Por prindërit e tyre sot e ndjejnë vetminë, aq sa ndjejnë edhe mungesën e shëndetit. Flisja shpesh vitet e para në telefon me kushuririn tim. Muajt e para, ishte entuziast. Në mbyllje të vitit të parë të qëndrimit në SHBA, kujtoj se më tha “ah mor vëlla, nuk qenka siç e kisha menduar, amerika nuk qenka “HA-MERR-IK”, por qenka punë dhe vetëm punë”. Punonte nga ora 07.00 e mëngjesit deri në 20.00 të darkës. Ato para që merrte ai dhe gruaja, u grumbulluan dhe blenë një shtëpi,e cila sot ka mbetur pothuajse bosh, (dhe po kërkojnë ta shesin) pasi 2 fëmijët kanë ikur dhe shikojnë jetën e tyre. Madje djali nja 700 km larg, dhe vajza nja 1200 km larg qytetit ku banonin me prindërit.

Shpesh në telefonatat që bëja me qahej “nuk e kisha menduar të më dilte kështu, jam i zhgënjyer, kemi mbetur vetëm, por nga turpi nuk kam si kthehem më në Tiranë”. Duket se ëndërra amerikane e kushuririt tim doli një “HIÇ” e nakatosur me zhgënjim. U bë sakat vetë, gruaja punon Akoma, pasi i duhet edhe 1 vit të marrë pensionin, fëmijët i sheh rrallë, dhe malli për vendin e lindjes Shqipërinë, po e djeg për së gjalli. E tregova këtë histori shkurtimisht, sepse do të duheshin faqe e faqe të tëra, për të treguar strapacimet e kushururit tim në amerikë. Eshtë e vërtetë se, SHBA, (akoma pa e provuar) mbetet ëndërra e shumë shqiptarëve, ashtu siç është e vërtetë se, atje nuk është as siguria, as qetësia, as njerëzillëku, dhe as jetesa si këtu në Shqipëri.

Amerika është vendi ku zjen puna, dhe jo vendi ku rrihet në kafene gjithë ditën. Atje kapitalizmi është i egër, dhe kush e harron, dhe beson se do të gjejë “sofrën shtruar”, do të zhgënjehet si kushuriri im. Dhe nuk është i vetmi ai. Shumë shqiptarë kanë ëndërruar për të vajtur me llotari, apo dhe vizë të gjatë qëndrimi në amerikë. Por atje ose janë përshtatur të vetëdetyruar, ose janë zhgënjyer. Ka qindra raste që janë rikthyer, edhe pse u është dashur të përballen me kritikat e njerëzve këtu, që nuk e kanë idenë fare të intensitetit të jetës amerikane. Ndryshon gjithçka, sa zbret në “Tokën e Premtuar”.

Ndryshon përshëndetja me komshiun (që nuk ti hedh sytë fare) ndryshon zgjimi në mëgjes, nisja për punë, orari i punës, kafeja e ushqimi ditor, ndryshon prazari që bën, shëtitja, ku nuk i intereson askujt kush je, dhe nga vjen. Tek pashë videon e Parashqevi Simakut, yllit të këngës shqiptare, të katandisur si mos më keq rrugëve të New Jorkut, nuk ndjeva habi, por veç keqardhje. Këtu Parashqevia, do të ishte “mbretëresha” e ledhatuar e muzikës, dhe do të kishte respektin dhe gjithë dashurinë e shqiptarëve.

Ajo iku atje, në fillimin e viteve ’90, duke besuar se do të “prekte Hollivudin”, duke mos e menduar ndoshta kurrë, katastrofën jetësore. Tashmë rikthimi i saj në Tiranë, dhe akomodimi deri në detaje, i takon qeverisë dhe shoqerisë shqiptare, për të vendosur në vend emrin dhe kontributin e një Artisteje, që në amerikë u kthye në lypse rrugëve të New Jorkut.