Në Ditën Ndërkombëtare të Diasporës, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla priti në një takim Këshillin Kombëtar të Diasporës.
Rëndësia e mësimdhënies së gjuhës shqipe për fëmijët me prindër shqiptarë kudo në botë, për të ruajtur identitetin kombëtar ishte tema kryesore e këtij takimi.

“Ne duhet t’i garantojmë mundësinë çdo fëmije, me të paktën një prind shqiptar, që të mësojë gjuhën shqipe.
Duhet të përdorim mundësitë e reja të komunikimit digjital për mësimin e gjuhës shqipe online. Rrjetet sociale duhet t’i vendosim në shërbim të mësimdhënies shqip”, tha ministri Balla.

Përfaqësuesve të Këshillit Kombëtar të Diasporës, të kryesuar nga Mark Gjonaj, ministri u tha se, gjatë këtij viti, qeveria shqiptare ka realizuar me sukses fazën e parë të programit “Mësues për Diasporën” me zbatimin e tij në Greqi, por duke synuar ta zgjerojë këtë model edhe në vende të tjera ku ka komunitete shqiptare.

Në përfundim të takimit, u theksua vendosmëria për të fuqizuar bashkëpunimin me diasporën në promovimin e mësimit të shqipes, por edhe në fusha të tjera si ekonomia apo turizmi, ku diaspora mund të ketë një rol të rëndësishëm.