Presidenti i rrëzuar sirian, Bashar al-Assad, dhe familja e tij kanë marrë azil në Rusi, sipas mediave shtetërore ruse.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se vendimi për t’i ofruar azil Asadit është marrë personalisht nga presidenti Vladimir Putin.
Peskov nuk dha detaje për vendndodhjen e presidentit sirian dhe as për takimin e fundit mes Putinit dhe Asadit. Ai gjithashtu theksoi se nuk ka plane për një takim të ardhshëm midis dy liderëve.
Zëdhënësi i Kremlinit theksoi se Rusia është e gatshme të mbajë kontakte me “ata që do të jenë në pushtet në Siri” në të ardhmen.
Rusia ka mbështetur Asadin për më shumë se një dekadë, duke i dhënë mbështetje ushtarake dhe diplomatike gjatë luftës civile siriane, që ka zgjatur më shumë se 13 vjet. Kjo mbështetje ka pasur një rol të rëndësishëm në qëndrimin e Asadit në pushtet, pavarësisht presionit ndërkombëtar dhe sulmeve të vazhdueshme nga rebelët dhe grupet e ndryshme të armatosura.