Kryetari PD Sali Berisha zbriti në terren duke u takuar me pensionistët e Elbasanit e akuzuar qeverinë se përse nuk po realizon rritjen e pensioneve.

“E di çdo pensionist, gjetëm pensionin minimal 36 euro, e rritëm në 82 euro. Gjetëm pensionin mesatar 70 euro, e rritëm në 105 euro. Jo, thotë ky, nuk bëhet, se po të rrisim pensionet, vetëm sa nuk thotë se është një krim. Pse nuk rriten pensionet? Po është krim të mos rriten pensionet. Sa i ka pensionet sot Mali i Zi? 310 përqind më shumë se ne. Po çfarë ka Mali i Zi? Ka breg, që ne kemi 10 herë më shumë, ka male që ne kemi shumë më tepër, ne kemi fusha, ata nuk kanë fusha, kemi të gjitha llojet e mineraleve”, thotë Berisha.

Për të mbështetur kërkesën e PD për rritje pensionesh zoti Berisha solli disa shifra krahasuese të pensioneve në rajon.

“Çfarë ka Mali i Zi që një pensionist të marrë sa 3 pensionistë tanë. 270 përqind më shumë merr pensionisti serb. Të gjithë në vitin 2013 merrnin më pak se ju. 280 përqind më shumë merr pensionisti në Maqedoni. Albin Kurti u tha pensionistëve para 1 muaji, do ua rris 20 përqind. Mori 100 milionë euro dhe i çoi në fondin e pensioneve. Po ne me 8 miliardë buxhetin, për 780 mijë pensionistëve, po çfarë pëson shteti nëse merr 800 milionë dhe i çon në fondin e pensioneve? Si i sheh këta njerëz ai? Çfarë i konsideron ai këta? Njerëz që flasin me vete se nuk mbyllin dot muajin. Ky është krim, krim i rëndë!”, shton lideri i PD.

Sali Berisha premtoi se në 3 muajt e parë nëse fiton zgjedhjet, do e kthejmë përmbys këtë skemë çnjerëzore shpërndarjeje të pensioneve. Ndaj tha kryetari i PD ne kemi vendosur së pari të vendosim minimumin jetik për çdo shqiptar 200 euro vitin e parë si hapin e parë. Dhe mbi këtë 200 euro do llogarisim pensionet.