Forcave të Armatosura do t’u shtohen edhe 116 oficerë të rinj. 38 kadetë dhe 78 studentë, mes të cilëve 10 janë nga Kosova janë betuar në një ceremoni të veçantë.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjenerallejtënant Arben Kingji, komandanti i Akademisë së Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Nuredinaj si dhe gjeneralë, komandantë forcash e familjarë të studentëve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Vengu theksoi rëndësinë e këtij momenti për jetën studentore ushtarake dhe ndikimin që ai do të ketë gjatë gjithë karrierës së këtyre të rinjve në radhët e Forcave të Armatosura: “Betimi Ushtarak është një vazhdim i traditës së besëlidhjes, i dhënies së fjalës në kuvende popullore ose para luftëtarëve të organizuar për liri e pavarësi në shekuj. Asgjë më shumë nuk do t’ju japë nder, siguri dhe dinjitet, sesa uniforma e ushtarakut, uniformë e cila sot qëndron denjësisht përkrah aleatëve në NATO.
Në 4 vitet e ardhshme ju do të mësoni peshën dhe përgjegjësinë, por edhe fisnikërinë e uniformës. Akademia e Forcave të Armatosura në formimin e gjeneratës së re të oficereve duhet të ketë si pikësynim për të diplomuar individë që janë të certifikuar në angazhimin, përkushtimin ndaj vendit, karakterin e kompetencën”, – u shpreh ministri Vengu.
E
Ministri i Mbrojtjes tha se sot, po kryhen një sërë hapash realë në zhvillimin e Forcave të Armatosura të RSH për sa i përket trajtimit të ushtarakut, transformimit dhe modernizimit të FARSH.
Në mbyllje të fjalës së tij, ministri Vengu shprehu falënderimet për stafin akademik dhe personelin komandues për arritjet dhe përmbushjen e objektivave të programit të trajnimit.
Në këtë ceremoni u betuan 38 kadetë, të cilët do të vijojnë për një vit studimet pasuniversitare për oficerë dhe 78 studentë të rinj, të cilët do të studiojnë për 4 vjet pranë Akademisë së Forcave të Armatosura.