Brad Pitt dhe Angelina Jolie janë protagonistët e një prej divorceve më të bujshëm dhe më të hidhur në Hollivud, i cili është ende në vazhdim. Por, sipas zërave më të fundit, dy aktorët mund të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre personale për një projekt të ri filmik.

Mediat ndërkombëare bëjnë të ditur se një ofertë e bujshme ka mbërritur për të ribashkuar dy ish-bashkëshortët në ekranin e madh. Konkretisht, producenti Danny Rossner ka hedhur një propozim që duket i vështirë për t’u refuzuar. Bëhet fjalë për 60 milionë dollarë që Brad Pitt dhe Angelina Jolie të luajnë së bashku në një set filmi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Për momentin, mendoj se Brad Pitt fiton nga 20 deri në 25 milionë dollarë për film, ndërsa Angelina Jolie rreth 15 milionë. Ne jemi gati të ofrojmë një shifër që varion nga 50% më shumë se tarifat e tyre të zakonshme” ”, deklaroi Rossner. Kjo do të thotë deri në 37.5 milionë për Brad dhe rreth 22 milionë për Angelina.

Propozimi është për një film të frymëzuar nga libri “The Hotel Martinez”, i cili tregon historinë e hotelit me të njëjtin emër në Kanë të Francës, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Brad Pitt do të luante Emmanuel Martinez, pronarin karizmatik të hotelit, ndërsa Angelina Jolie do të luante rolin e Emma Digard, të dashurës dhe muzës së tij simpatike.

Filmi premton një histori dashurie, tradhtie dhe pasioni. “Do të ketë një skenë dashurie”, zbuloi Rossner. Pavarësisht tërheqjes kinematografike që mund të ketë ideja, propozimi vjen në një moment delikat për ish-çiftin e artë.

Producenti gjithashtu deklaroi se prania e tyre e përbashkët në një film të ri mund të jetë çelësi i një suksesi të madh në arkë. “Brangelina është më shumë se një markë, është një garanci suksesi”, komentoi Rossner.

Pas ndarjes që tronditi Hollivudin në vitin 2016, dy aktorët janë ende protagonistë të një beteje të gjatë ligjore. Akuzat për abuzim nga Angelina, incidenti në fluturimin privat dhe lufta e vazhdueshme për kujdestarinë e fëmijëve të tyre janë vetëm disa nga kapitujt më kompleksë të ndarjes së tyre.