Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka deklaruar se “vitin e ardhshëm, falë buxhetit rekord, të parit prej 1 miliard eurosh të aprovuar për sektorin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, do të mund të bëjmë akoma edhe më shumë për qytetarët”.

E pranishme në Konferencën e Dytë të UBF “Rikonceptimi i Kujdesit Shëndetësor, vizioni për një Shqipëri më të shëndetshme”, me pjesëmarrjen e farmacistëve dhe ekspertëve të fushës, Koçiu theksoi se falë këtij buxheti “do të mbështesim 400 mijë qytetarë që do të trajtohen me rreth 1.300 barna të listës së rimbursueshme. Buxheti ynë për këtë listë është rritur duke shkuar në pothuajse 130 milionë euro për vitin e ardhshëm”.

Sipas saj, bashkëpunimi në sektorin farmaceutik, si një shtyllë thelbësore e sistemit tonë shëndetësor është me rëndësi për të garantuar tregun me medikamentet e reja dhe inovatore që deri dje nuk ishin të diskutuara.

“Ndërkohë që sot flasim si të zhvillohemi më shumë, si të forcojmë akoma më shumë partneritetin mes nesh, si të zhvillojmë një platformë komunikimi të hapur, aktive të bashkëpunimit të ndërsjelltë me qëllim që t’u sigurojmë qytetarëve, medikamente cilësore, barna inovatore në trajtimin e sëmundjeve”, u shpreh ministrja.
Në përfundim, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu theksoi se “Shqipëria sot nuk ofron vetëm linjën standarde të kurimit për çdo sëmundje, por kemi gjithmonë e më shumë opsione dhe medikamente që u ofrojnë qytetarëve një gamë të gjerë trajtimi më efikase se më parë”.