Buxheti i vitit 2025 siguron mbështetje për 164 mijë persona me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh sot se programi i Mbrojtjes Sociale synon të përmirësojë cilësinë e jetës për këta qytetarë, duke u ofruar jo vetëm ndihmë ekonomike, por edhe mbështetje për përfshirjen sociale dhe akses në shërbime të specializuara.
“Buxheti për vitin 2025 reflekton angazhimin tonë për të garantuar mbështetje për 164 mijë persona me aftësi të kufizuara. Përmes buxhetit 2025, vijojmë të përforcojmë politikën tonë të solidaritetit dhe kujdesit për çdo individ që ka nevojë për përkrahje”, u shpreh Koçiu.
Ministrja theksoi se përpjekja për të integruar në të gjithë sektorët e jetës personat me aftësi ndryshe ecën paralel dhe është e pandashme nga përpjekja për të ndërtuar një shoqëri europiane.
Buxheti 2025 për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale tejkalon 1 miliard euro, duke qenë kështu buxheti më i madh i parashikuar për shëndetësinë, me një rritje prej 5% nga viti i kaluar.
Po ashtu, buxheti 2025 reflekton një angazhim të fortë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtjen sociale, duke garantuar një standard të denjë për të gjithë qytetarët.