Mes kalvarit të shumë sfidave që të prekurat nga kanceri I gjirit duhet të përballojnë, është edhe ajo me transformimit fizik dhe psikologjik që pësojnë për shkak të terapisë. Kirurgjia në gjoks dhe rënia e flokëve nga kimioterapia kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetët e tyre, kjo shoqëruar edhe me pamundësinë në shumë raste për t’i zëvendësuar me proteza e paruke. Pas kërkesash të vazhdueshme nga këto paciente, gjatë vitit të ardhshëm, ndonëse nuk ka një datë se kur, mbi 300 gra e vajza tashmë këto mjete do t’i përfitojnë falas.

“Sivjet parashikuan një fond për të siguruar protezat e gjirit për ato gradë ka vajza që kanë indikacion, sepse jo të gjitha kanë indikacion që të vendosin protezën e gjirit pas kirurgjisë, dhe për të ofruar parukat atyre grave që përballen me kimio-terapi që dihet që një nga efektet anësore është edhe rënia e flokut”, u shpreh Mira Rakacolli , Zv.ministre e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.

Zv.ministrja e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale Mira Rakacolli, në një intervistë për RTSH tha se materialet do të menaxhohen nga vetë stafi i spitalit onkologjik.

“Materialet do të menaxhohen nga Spitali Onkologjik. Protezat do t’i vendosin kirurgët se kur është momenti i përshtatshëm për t’i vendosur ato dhe po kështu edhe parukat do të zgjidhen nga vetë gratë në përshtatje me tiparet e tyre”, tha Rakacolli.

Në tregun e lirë sot një paruke profesionale me fibër kushton 100 euro ndërsa me flokë natyrale shkon nga 150-1000 euro. Për fondin e protezave dhe parukave ende po punohet nga grupi I punës së ngritur në ministri ndërsa premtohet se materialet për to do të jenë cilësore.