Shqipëria çeli sot (17 Dhjetor) grupkapitullin 6 për negociatat e integrimit në Bashkimin Europian.

Ambasadori i delegacionit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, e ka përshëndetur hapjen e negociatave për marrëdhëniet dhe politikën e jashtme, me një postim në rrjetin social X.

Gonzato e ka cilësuar këtë hap si ‘një tjetër arritje të rëndësishme në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE’.

Gjithashtu diplomati i lartë thekson se është “një njohje të përafrimit të plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së”.

Reagimi i plotë:

“Një tjetër arritje e rëndësishme! Urime Shqipërisë për hapjen e negociatave për Grup-Kapitullin 6 – kapitujt për marrëdhëniet e jashtme dhe politikën e jashtme!

Kjo shënon një hap të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe një njohje të përafrimit të plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Inkurajojmë Shqipërinë të ruajë angazhimin dhe vendosmërinë e saj në avancimin e reformave të nevojshme në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Shqipërisë në këtë rrugëtim sfidues”.