Viti 2024 mund të konsiderohet viti i Shqipërisë për sa i përket progresit në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Në 15 tetor, në Luksemburg u organizua Konferenca e Dytë Ndërqeveritare BE-Shqipëri, ku u çelën negociatat për grupkapitullin “Themeloret”.

Ndërsa sjell në vëmendje këtë ngjarje të rëndësishme, Agjencia për Medie dhe Informim (MIA) vlerëson se kjo ngjarje është “gur themeli historik në rrugëtimin europian të Shqipërisë”.

“Në ditët e fundit të 2024, rikujtojmë një nga momentet më përcaktuese për të ardhmen e vendit, çeljen e negociatave me Bashkimin Europian për grupkapitullin ‘Themeloret’, një gur themeli historik në rrugëtimin europian të Shqipërisë”, shkruan MIA, ndërsa ndan momente nga deklaratat në Luksemburg.

Në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare BE-Shqipëri, Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi e konsideroi këtë një vendim historik. “Tani rruga është e hapur për negociatat themelore, që do të thotë se tani ne do të negociojmë kushtet në të cilat Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian”, u shpreh Varhelyi nga Luksemburgu.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama vlerësoi se çelja e grupkapitullit të “Themeloreve”, me kapitujt kryesorë përfaqëson një arritje të madhe për të dyja palët, Shqipërinë dhe BE-në.

“Ajo shenjon një gur themeli historik në rrugëtimin e përbashkët drejt ribashkimit tërësor europian”, u shpreh Rama, gjatë kësaj Konference në Luksemburg.