Skuadrat europiane do të zbulojnë kundërshtarët e tyre në kualifikuese për Kupën e Botës 2026 në shortin e sotëm, i cili nis në orën 12:00 në Zyrih.

Gjithsej 16 ekipe të UEFA-s do të kualifikohen për në fazën finale të Botërorit, i cili këtë edicion do të jetë “XXL” pasi do të marrin pjesë plot 48 skuadra.

Formati i ri – Formati për kualifikueset e Evropës ka ndryshuar pasi tani janë më shumë grupe, të cilat do të formohen nga më pak skuadra. Do të jenë 12 grupe kualifikuese për Botërorin. Gjashtë do të kenë katër ekipe dhe gjashtë do të kenë pesë ekipe. Ekipet do të luajnë me njëra-tjetrën në shtëpi dhe jashtë si zakonisht. Skuadra e parë nga secili grup kualifikohet automatikisht për Kupën e Botës, vendet e dyta shkojnë në play-off me katër ekipe të Ligës së Kombeve. Katër nga 16 skuadrat e play-off do të kualifikohen në fazën finale të Botërorit.

Vazot – Ekipet do të shortohen sipas renditjes së vazove.

Vazo 1: Spanjë, Gjermani, Portugali, Francë, Itali, Holandë, Danimarkë, Kroaci, Angli, Belgjikë, Zvicër, Austri

Vazo 2: Ukrainë, Suedi, Turqi, Uells, Hungari, Serbi, Poloni, Greqi, Rumani, Sllovaki, Republikën Çeke, Norvegji

Vazo 3: Skoci, Slloveni, Republika e Irlandës, Shqipëri, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, Finlanda, Islanda, Irlanda e Veriut, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Izraeli

Vazo 4: Bullgari, Luksemburg, Kosovë, Bjellorusi, Armenia, Kazakistan, Azerbajxhan, Estoni, Qipro, Ishujt Faroe, Letoni, Lituani

Vazo 5: Moldavia, Malta, Andorra, Gjibraltar, Lihtenshtajni, San Marino

Kush do të futet në një grup me katër ekipe? – Katër skuadrat që fitojnë çerekfinalet e Ligës së Kombeve në mars do të shkojnë secila në një nga grupet kualifikuese të Kupës së Botës me katër skuadra (Grupet A-F). Kjo sepse finalet e Ligës së Kombeve luhen në qershor, duke lënë më pak vend në kalendar për kualifikueset e Botërorit. Për shkak se ky short bëhet para atyre ndeshjeve, çerekfinalistët do të hidhen si vendmbajtës. Për shembull, fituesi i Francës kundër Kroacisë do të shkojë në një grup, ndërsa humbësi në një tjetër. Maksimumi një çerekfinaliste e mundur në Ligën e Kombeve ose një skuadër e promovuar në këtë kompeticion mund të shortohen në një grup. Skocia dhe Republika e Irlandës janë ndër 16 skuadrat në ato play-off – kështu që ka më shumë se gjasa të përfundojnë në një grup me katër ekipe. Anglia ka të ngjarë të jetë në një grup me pesë ekipe. Gjashtë skuadrat e fundit do të hyjnë automatikisht në Grupet G-L.

A ka ndonjë kufizim tjetër? – Për arsye politike, Ukraina dhe Bjellorusia nuk mund të jenë në të njëjtin grup dhe as Gjibraltari dhe Spanja. Kosova duhet të mbahet e ndarë nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Moti është gjithashtu një faktor. Për shkak të kushteve të mundshme të të ftohtit, maksimumi dy nga Estonia, Ishujt Faroe, Finlanda, Islanda, Letonia, Lituania dhe Norvegjia mund të shortohen së bashku. Islanda dhe Faroet nuk mund të shortohen së bashku pasi konsiderohen dy vendet më të rrezikuara nga ndërprerjet për shkak të kushteve atmosferike. Ekzistojnë gjithashtu kufizime gjeografike se me kë mund të përballen Kazakistani, Azerbajxhani dhe Islanda për të shmangur shumë udhëtime në anën e kundërt të Evropës.

Kur jane ndeshjet? – Ndeshjet do të zhvillohen në 10 ditë ndeshjesh gjatë pesë pushimeve ndërkombëtare. Këto pushime ndërkombëtare janë 21-25 mars, 6-10 qershor, 4-9 shtator, 9-14 tetor dhe 13-18 nëntor. Sidoqoftë, asnjë ekip nuk do të luajë kualifikueset e Kupës së Botës në të gjitha ato data, sepse ka maksimumi tetë ndeshje. Disa skuadra do të fillojnë në mars, të tjerat do të fillojnë në qershor dhe grupet me katër skuadra nuk do të fillojnë deri në shtator. Ndeshjet play-off do të zhvillohen në datat 26-31 mars 2026.

Kur është Kupa e Botës? – Kupa e Botës do të fillojë më 11 qershor në Meksiko Siti dhe do të përfundojë më 19 korrik në Neë Xhërsi. Turneu i zgjeruar me 48 ekipe do të zgjasë një rekord prej 39 ditësh. Formati i ri do të ketë 12 grupe me katër ekipe dhe një raund të fundit me eliminim direkt për herë të parë.