Kur kanë kaluar më shumë se dy vite nga zhdukja e “Mbretit të Llotove” Ervis Martinaj, përveç thashethemeve dhe hipotezave të shumta, asgjë zyrtare nuk është konfimruar mbi fatin e tij.

Për herë të fundit Martinaj është parë në 9 gusht të vitit 2022, më pas asnjë gjurmë e tij, të shumta ishin zërat se ai mund të jetë larguar nga vendi pas kryerjes së operacioneve plastike, po ashtu kishte dhe zëra se ai është vrarë e më pas zhdukur nga armiqtë e tij.

Megjithatë këto mbeten vetëm hipoteza, pasi nga ana e Prokurorisë dhe Policisë deri më sot nuk ka asnjë variant, përveç deklaratave që hetimet vijojnë.

Ndërkohë vetëm disa ditë më parë pas zbulimit të një tjetër kanali të kriptuar pas atij Sky ECC, ishte dhe MATRIX, ku menjëherë qarkulluan zëra se aty është përmendur Ervis Martinajn.

Por çfarë është thënë konkretisht në bisedat për Martinajn në këtë aplikacion? Gazetarja Glidona daci e ftuar në “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, deklaroi se flitet që në MATRIX është përmendur Ervis Martinaj, por është ende herët për të folur dhe për të dalë në konkluzione.

Daci tha se deri më sot në MATRIX janë zbardhur vetëm bisedat e tre muajve të fundit, dhe duhet pritur akoma nëse mund të zbulohet ndonjë gjë e re ose jo.

Pjesë nga biseda:

Daci: SPAK në lidhje me çështjen e Vis Martinajt pasi ai prezumohet të jetë i gjallë. Ka disa masa sigurimi në drejtim të tij. Ndëkrohë prokuroria e Lezhës po heton për zhdukje personi pas denoncimit të familjarëve. Ka patur verën e këtij viti disa kontrolle. Ka ngritur pikëpyetje zhytja e polumbarëve në disa pika të bregdetit të jugut, pasi ka dyshime se Martinaj mund të jetë ekzekutuar. Në informacionet qe unë kam SPAK në bazë të një tjetër procedimi penal ku janë anëtarë të grupit të Ervis Martinajt, është duke u hetuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Ervis Martinajt.

Borakaj: Nga këto aplikacionet nuk ka nga këto detaje?

Daci: Është përfolur në MATRIX. Por ka një problem të madh që ne gazetarët duhet ta dimë, që MATRIX është kapur për 3 muajt e fundit. Ajo që mua më shqetëson dhe duhet të kishim një përgjigje është: Kanë apo jo indicie, prova, fakte, e ka inskenuar apo është vrarë Vis Martinaj? Armiq Martinaj ka patur shumë, përplasje të forta ka patur me eksponentë të krimit aty ku jetonte, në Tiranë, në Durrës. Duke qenë se ka patur kaq shumë përplasja një dyshim ëhstë që ai të jetë rrëembyer zhdukur e më pas ekzekutuar.