Lajmet me zhvillim
1.Bardhi kërkoi interpelancë me Ramën për çështjen “Becchetti”, Balla: Kryeministri nuk mund të japë llogari për një shpifje të propaganduar
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla iu përgjigj kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi për kërkesën e këtij të fundit për interpelancë me kryeministrin Edi Rama lidhur me çështjen “Becchetti”. Balla tha se kryeministri e ka të pa mundur të lë angazhimet e veta që të përgjigjet për këtë interpelancë ose, sipas tij, të japë llogari për një shpifje të propaganduar publikisht. Ai shtoi se lajmi se shteti shqiptar ka paguar 130 mln euro është lajm i rremë.
“Kryeministri e ka të pa mundur të lë angazhimet e veta që të përgjigjet për këtë interpelancë ose më saktë të japë llogari për një shpifje të propaganduar publikisht dhe e them shpifje sepse bëhet fjalë për një lajm të rremë se shteti shqiptar i paska paguar 130 mln euro një elementi kriminal me të cilin shteti shqiptar po vazhdon të përplaset në gjyqe apo procese penale jo vetëm në Shqipëri, sepse elementi kriminal në Shqipëri është i dënuar me vendim të formës së prerë, por edhe në shtet të tjera të Europës dhe këtu na thuhet se duhet të vijë kryeministri për të sqaruar një shpifje”, tha Balla.
2.Kërkesa e Bardhit për interpelancë me Ramën për çështjen “Becchettin”, Spiropali: Duhen fakte jo propagandë dite!
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali iu përgjigj kreut të grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhit lidhur me kërkesën për interpelancën e kërkuar nga ky i fundit me kryeministrin Rama për çështjen “Becchettin”. Spiropali tha se në bazë të kushtetutës, interpelanca duhet kërkuar bazuar mbi të vërteta dhe jo në propagandë. Ajo shtoi se interpelanca duhet sjellë sipas rregullore së Kuvendit.
“Duhet të bazohet në të vërteta në kontroll parlamentar dhe jo në nevojë për propagandë të ditës. Kryetar i Kuvendit ka të drejtë të mos e përfshijë interpelancë në rend dite për çështje që nuk janë në përgjegjësi të këshillit të ministrave. Jemi të gatshëm në çdo kohë, sillni interpelanca që janë sipas rregullore së Kuvendit. Mos merrni gjëra të pathëna, që nuk bazohen në dokumente të shtetit shqiptar. Do trajtohen interpelanca të bazuar në fakte për interesin publik”, tha Spiropali.
3.Bardhi-Spiropalit: Ndryshuat qëndrim pasi foli Edi Rama, postimet e tij në Twitter janë Kushtetuta juaj
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi kryetaren e Kuvendit se ndryshoi qëndrim pas statusit të kryeministrit Edi Rama, lidhur me interpelancën e kërkuar nga ai për çështjen “Beccheti”.
Ai akuzoi Spiropali dhe mazhorancën për shkelje të Kushtetutës. Bardhi u shpreh më tej se shteti shqiptar po i jep 130 milionë euro të shqiptarëve Francesco Becchetit, drejtuesit të Agon Channel. Ai tha gjithashtu se ka vendimin e gjykatës belge lidhur me këtë çështje.
“Elisa Spiropali e javës së shkuar ishte tjetër nga Elisa Spiropali pasi foli Edi Rama. Je padyshim në shkelje të Kushtetutës. Shkrimet e Ramës në Twitter janë Kushtetuta juaj. Kam vendimin e gjykatës belge. Nuk kam thënë se shteti shqiptar e ka kryer pagesën, por ka refuzuar ta kryejë pagesë. Po i jepni një mafiozi siç ju e quani 130 milionë euro të qytetarëve shqiptarë. Ne kemi thënë dhe media ka referuar që me vendim gjykate shtetit shqiptar i janë konfikskuar 130 mln euro të Alb Control. Sipas procedurave të shtetit belg është duke bërë planin e shpërndarjes. 110 milionë euro janë për abritrazhin e Agon Channel, dhe pjesa tjetër për një tjetër arbitrazh.”,tha Bardhi
4. “Nëse në bazë dokumentesh bëhet gjyqi publik i hajdutëve, do bëhet!” Spiropali i mbyll mikrofonin Berishës: Nuk është për procedurë
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha foli sot në Kuvend pas interpelancës mes deputetes Ina Zhupa dhe ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu. Berisha tha se kryetarja e Parlamentit i preu fjalën deputetes Ina Zhupa vetëm se iu drejtua ministres me epitetin që i drejtohet mbarë Shqipëria, sipas tij. Spiropali paralajmëroi Beirshën se fjala e tij nuk ishte për procedurë, por Berisha vijoi duke shtuar se gjyqi publik i hajdutëve do të bëhet sa kohë ka dokumente.
Pjesë nga diskutimi në Kuvend:
Berisha: Nuk mund të mos denoncoj brutalitetin me të cilin kryetarja i pret fjalën deputetes dhe proteston për faktin e vetëm se ajo i drejtohet asaj me epitetin që i drejtohet mbarë Shqipëria. Nëse ndonjë këtu iu thotë hajdut pa u bazuar në dokumente zyrtare.
Spiropali: Nuk është për procedurë.
Berisha: Të lutem, të lutem. Keni të drejtë të padisni për shpifje nëse s’ka dokumente. Por nëse në bazë dokumentesh bëhet gjyqi publik i hajdutëve, do bëhet.
Spiropali: Ju tërheq vëmendjen, kjo nuk është për procedurë dhe nuk ka fjalë më.
5. Opozita bllokon foltoren, Spiropali ndërpret seancën plenare
Kryetarja e Kuvendi, Elisa Spiropali njoftoi 5 minuta pushim, pasi opozita bllokoi foltoren dhe nuk lejoi ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiun të mbajë fjalën. Pasi deputetët e opozitës u afruan te foltorja në sallën e Kuvendit u futën edhe punonjësit e Gardës.
Debatet nisën pas zhvillimit të interpelancës së kërkuar nga deputetja e PD-së, Ina Zhupa me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliun lidhur me vrasjen e Martin Canit dhe sigurinë në shkolla.
6. Berisha në Kuvend: Po bllokoni vendimet e Kushtetueses dhe Komisionit të Venecias sepse…
Kryetari i PD-së, Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit, akuzoi mazhorancën se është kthyer në mbrojtësen e grabitjes dhe plaçkitjes së pasurisë publike nga ministrat dhe qeveritarët. Duke folur lidhur me opinionin e Venecias për mandatin e deputetes Olta Xhaçka ai u shpreh se nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që një ministre të shpallë burrin e saj investitor strategjik. Ai akuzoi më tej mazhorancën se po poshtëron zgjedhësit duke mbajtur në sallë një person të ndëshkuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias.
“Kjo që ndodh në këtë parlament është e pashembullt. Kjo mazhorancë është shndërruar në parzmore të grabitjes dhe plaçkitjes së pasurisë publike nga ministrat dhe qeveritarët. Në historinë e Europës dhe të botës kurrë nuk ka ndodhur që një ministre pasi burrin e vet investitor strategjik, në shkelje flagrante të ligjeve të vendit, pra pasi përvetësoi duke përdorur pushtetin e besuar nga qytetarët për të pasuruar vetën dhe familjen e vet me një pronë 10 mijë metra katrorë tokë publike në një zonë ku kushton të paktën 250 euro metri katror, tani ju poshtëroni Kushtetutën, poshtëroni vendin, poshtëroni zgjedhësit dhe mbani këtu në mënyrën më të paimagjinueshme njeriun e ndëshkuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias.
Pse ndodh kjo? Ky është një qëndrim ekstrem për të mbrojtur me çdo kusht vjedhjet, plaçkitjet që kanë bërë. Fijet e Olta Xhaçkës, që bëhet këtu personazh unik, janë të lidhura direkt me Edi Ramën. Janë të lidhura direkt me Edi Ramën sepse Edi Rama, siç është bërë tashmë e njohur, është 30 përqindëshi i investitorëve strategjikë. Por në qoftë se ju, pasi keni futur në xhep Skapin e partisë, pasi përpiqeni të injoroni tërësisht aktet e kontrollit të shtetit, bllokoni dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, bllokoni edhe vendimet e Komisionit të Venecias.
Flamuri juaj i zi i hajdutit meriton të digjet në sheshin Skënderbej. Është bërë shumë evidente se të gjitha aferat që çojnë tek kryehajduti Edi Rama nuk mund të diskutohen. I kërkohet mocion, Kushtetuta e detyron, ai nuk vjen. Kërkohet të vijë Vilma Nushi, bashkëshortja e kushëririt që ndan paratë me të, ajo nuk vjen. Kërkohet të ndëshkohet Ilir Beqaj për 100 milionë euro të vjedhura në sterilizim, ai nuk vjen sepse është aksionieri kryesor. Sepse ka dalë e qartë si drita e diellit se Gramoz Sako, firma e komandantit të Gardës ka ndërtuar pallatin në pajë pa asnjë faturë. Ilir Beqaj nuk ndëshkohet për vjedhjet e mëdha të fondeve në sterilizim, 83 herë ka rritur çmimin e sterilizimit, por për 120 mijë euro që ka shpenzuar në restorantin e vet, fonde të donatorëve. Vetëm e vetëm për të mbrojtur Edi Ramën.”, u shpreh Berisha.
7. “Ne i besojmë institucioneve, ju doni t’i shpallni vetë kriminelët!” Peleshi-opozitës: Nuk jemi njësoj!
Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Niko Peleshi tha sot nga foltorja e Kuvendit se opozita dhe mazhoranca nuk janë njësoj. Pelshi tha se mazhoranca mbështet dhe bashkëpunon me institucionet, ndërsa opozita bën të kundërtën, sipas tij. Ai shtoi se mazhoranca i beson tek institucionet ndërsa opozita do që t’i shpallë vetë kriminelët.
“Ne nuk jemi njësoj, sepse ndahemi në disa qëndrime të rëndësishme, së pari në raport me institucionet. Ne jemi për institucionet, ju jeni për feude. Ne jemi për rrugën e vështirë për fitim afatgjatë…Rritje ekonomike nuk mund të ketë pa institucione, ne jemi me institucionet edhe kur ato jo gjithmonë prodhojnë lajme të mira për ne.
Ju SKAP thoni kur doni të mbroni vetën tuaj, dhe SPAK kur keni interesin tuaj. Jeni me dy standarde. Ju nuk e keni problem të përmendni emra njerëzish dhe t’i shpallni fajtorë hajdut kriminel, por ku e gjeni ju të drejtën të bëni prokurorin, gjykatësin dhe larg qoftë e keni bërë ekzekutorin. Ne i besojmë institucioneve, ju doni t’i shpallni vetë kriminelët”, tha Peleshi.
8.Opinioni i Komisionit të Venecias për mandatin e Xhaçkës/ Bushka: Autonomia parlamentare ka fituar të drejtën e vet
Deputetja socialiste Klotilda Bushka ka folur sot në Kuvend lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës. Bushka tha se Komisioni i Venecias thekson vendimin për të respektuar Kushtetutën dhe vendimet e gjykatës Kushtetuese, si element kyç i shtetit të së drejtës. Ajo shtoi se nëse Kushtetuta i jep mundësi Parlamentit për të votuar, vota s’mund të imponohet.
“Më duhet të sqaroj, komisioni i Venecias thekson vendimin për të respektuar Kushtetutën dhe vendimet e gjykatës Kushtetuese, si element kyç i shtetit të së drejtës. Nëse Kushtetuta i jep mundësi Parlamentit për të votuar, vota s’mund të imponohet. Unë besoj se Venecia ka dhënë një ekuilibër të ndërsjellët mes respektimit të vendimeve të Kushtetueses dhe të drejtës së deputetit. Nuk është çështje politike. Autonomia parlamentare ka fituar të drejtën e vetë”, tha Bushka.