Nga Gazeta Si -Shpallja e kandidaturave për çmimet kombëtare të letërsisë nga Qendra kombëtare e librit dhe leximit ka ngjallur debat mes qarqeve letrare. Këtë herë jo vetëm për çeshtje mospërfshirjeje në listë por dhe për paqartësitë dhe mostransparencën mbi emrat e anëtarëve të jurisë.
Mira Meksi dhe Primo Shllaku janë dy nga shkrimtarët të cilët e kanë shprehur publikisht këtë pakënaqësi.
Primo Shllaku , shkrimtar
Vlerësimi i letërsisë është një gjykim krejtësisht subjektiv. Por kur ky vlerësim lidhet me një çmim me karakter kombëtar, atëherë çeshtja behët më e komplikuar. Nisur dhe nga natyra vetanake, secili shkrimtar ka pretendimet e tij. Janë çmimet në përgjithësi ato që kanë ngjallur shpesh debate dhe replika mbi cilësinë e tyre por dhe orientimin e lexuesit drejt një letërsie jo të mirë, duke vlerësuar shpesh në bazë miqësish apo klanesh.
Debati i fundit i ngritur është ai mbi vërtetësine dhe gjykimin e jurisë së çmimeve kombëtare të cilët janë dhe çmimet më të rendësishme në një vit kalendarik. Një ndër shkrimtaret e cila ka artikuluar publikisht pakënaqësitë e saj është Mira Meksi. Pjesë e listës së ngushtë me romanin “ Parisi vret” ajo shpreh dyshimet e saj për ekzistencën e jurisë.
Për Gazeta Si, Meksi thotë se jo vetëm është traditë që juria të shpallet, por edhe detyrim ligjor si ent shtetëror për transparence. “Kryetari i jurise thoshte se kanë punuar shumë muaj me përzgjedhjet. Me kë ka punuar? Vetëm me Monikën? Se të tjerët nuk kanë qënë ata janë shpallur vetëm për pak ditësh Nëse kanë qënë, pse nuk i janë shpallur publikut? Njëri nga anëtarët e jurisë Z. Xhevat Lloshi është kontaktuar vetëm gjatë Dhjetorit për të qënë pjesë e jurisë dhe më duket nje proçes i dyshimtë dhe shoh me hidherim një zvetënim moral” deklaron Meksi.
Mira Meksi, shkrimtare
Po ashtu dhe shkrimtari Primo Shllaku në dalje për mediat deklaroi se romani i tij nuk është përfshirë në listën e ngushtë për disa arsye ku një ndër to është se romani është i shkruar në gegënisht. Dhe shtoi se nuk njihte asnjë nga anëtarët e jurisë.
Ndërkohe juria emrat e të cilëvë janë bërë publike tashme përbëhët nga Koloreto Cukali ( kryetar i jurisë), Monika Stafa, Entela Kasi, Xhevat Lloshi dhe Blendi Lami.
I kontaktuar nga GazetaSi, kryetari i jurisë Koloreto Cukali pohon se juria është mbledhur në Shkurt. “Personalisht ftesa më është bërë në Janar, po nuk besoj se ka shumë rëndësi. Procesi ka qenë i thjeshtë: Ne kemi lexuar të gjithë librat e botuar në 2023-shin, dhe kriteri i vetëm ka qenë cilësia. Çdo libër i botuar në 2023-shin, me përjashtim të ribotimeve ka qenë në garë që në fillim”, thotë Cukali.
Leximi i veprave ka nisur prej nëntë muajsh shton ai dhe sqaron kriteret mbi të cilat janë përzgjedhur veprat finaliste.
“Në prozë, cilësia është vlerësuar bazuar mbi strukturën narrative, stilin, dhe veçantinë e fabulës. Në poezi është vlerësuar stili dhe forca emocionale që përcjell vepra. Për librin shkencor është vlerësuar metodologjia shkencore dhe vlera shoqërore e temës së trajtuar. Jemi 5 anëtarë me 5 shije të ndryshme, por vendimet kanë qenë gjithmonë kolegjiale”, vijon kryetari i Jurisë.
Ndërsa për debatin mbi anonimatin e emrave të jurisë Cukali thotë nuk e di se çfarë ka ndodhur në vitet e tjera.
“Personalisht kam bërë një deklaratë publike në rrjetet sociale të QKLL, në verë. Nuk e kuptoj pse juria u dashka bërë publike në mënyrë konstante, ky nuk është një reality show”, shton Cukali.
Përsa i përket komentit të shkrimtares Mira Meksi, ai thotë se nuk komenton për gjëra që nuk arrin t’i kuptojë.
“Juria janë këta emra që janë. Secili vjen në këtë përvojë me integritetin e emrit të vet e të jetës së vet profesionale. Kushdo është i lirë mund të komentojë çdo gjë, po nuk është problemi im”, deklaron ai.
Kurse akuzave të shkrimtarit Primo Shllaku se është eliminuar nga lista e shkurtër për shkak të gegënishtes, kryetari i jurisë Koloreto Cukali iu pëgjigjet: “Unë jam shkodran, dhe në një juri ku jam unë nuk ka asnjë shans që të persekutohet një libër për shkak të gegnishtes. Thjesht, nuk mund të ndodhë. Kam simpati personale për zotin Shllaku, aq më tepër që edhe unë e konsideroj veten një shkrimtar jashtë sistemeve letrare. Por më duhet të them që gjykimi i një libri nga një juri nuk është një provim matematike ku rezultati është një dhe i vetëm. Juria, ka diskrecionin të përzgjedhë bazuar mbi disa kritere dhe në fund mbeten shijet personale. Shijet e çdo jurie libri mund të gjykohen, por, të mos harrojmë që dhe ata që e gjykojnë nuk janë mësues matematike”.
Koloreto Cukali, kryetar i jurisë
Kurse Blendi Lami anëtar i jurisë thotë për GazetaSi se në përzgjedhjen e përkthimeve për listën me pesë përkthime, janë mbështetur kryesisht në pesë kriteret e mëposhtme të cilat ndihmojnë në arritjen e një vlerësimi gjithëpërfshirës të cilësisë.
“Besnikëria në raport me tekstit origjinal është një parametër që mat saktësinë e përkthimit. Pra, vlerësimi e nivelit përkthimit që mbulon kuptimin, tonin dhe nuancat e tekstit origjinal. Një përkthim i arrirë duhet të përcjellë qëllimin e autorit dhe të ruajë elementet kulturore dhe stilistike të materialit burimor. Rrjedhshmëria dhe stili gjuhësor: përkthimi duhet të lexohet natyrshëm / rrjedhshëm në shqip dhe të pasqyrojë shprehjet idiomatike dhe sintaksën e duhur.
Duhet të shmangë të ashtuquajturin “përkthim mekanik” dhe duhet të prodhojë një tekst që të krijojë idenë – sa më shumë – sikur të qe shkruar në shqip. Ndjeshmëria kulturore dhe kontekstualizimi: përkthyesi arrin të kapërcejë boshllëqet kulturore; siguron që referencat ose idiomat specifike kulturore të përshtaten ose shpjegohen për audiencën e synuar pa humbur thelbin e tyre. Risia dhe kreativiteti: veçanërisht për këto vepra letrare, kemi këmbëngulur të zbulojmë se përkthimi duhet të zgjidhë në mënyrë krijuese elemente stilistike unike.
Kjo aftësi e përkthyesit për të rikrijuar mjeshtërinë e tekstit origjinal në gjuhën shqipe është një tregues i përsosmërisë. Ndikimi dhe aksesi te lexuesit: në këtë pikë janë marrë në konsideratë përkthimet që kanë pasur jehonë te lexuesit. Një përkthim i mirë nuk ka të bëjë vetëm,e besnikërinë ndaj origjinalit, por edhe të ushtron ndikim te lexuesi shqiptar”, deklaron Lami.
-Këto kritere sipas tij, së bashku janë përdorur për të balancuar saktësinë teknike me interpretimin artistik. Është ndjekur kjo qasje metodologjike me qëllim që të sigurohet se vepra e përkthyer të jetë një kontribut sa më i madh për letërsinë.
Edhe ai thotë se juria është mbledhur që në shkurt.
“Unë personalisht nuk jam në dijeni të kritikave apo zërave të debatit. Kam punuar pa trysni kritikash. Pra, nuk di të ketë pasur kritika apo paqartësi në lidhje me emrat e jurisë. Ne kemi vijuar punën normalisht. Që në fillim, kemi ndarë fushat tona të fokusit dhe punës. Sigurisht kemi bashkëpunuar me njëri-tjetrin gjatë gjithë kësaj periudhe. Dhe mund të them që ka qenë një periudhë frytdhënëse. Çdo vendim është reflektuar në bazë të hallkave të caktuara të procesit. Meqenëse tani emrat e jurisë u publikuan, po pranoj edhe të jap këtë intervistë. Që në fillim kam qenë për ruajtjen e anonimatit. Madje unë kam menduar se juria nuk është e njohur në publik apo në rrethin e shkrimtarëve/përkthyesve/shtëpive botuese. Sipas meje, kjo lidhet me konsiderata etike. Anëtari i një jurie duhet të ruajë anonimatin për shkak të parimeve të paanshmëria / objektiviteti – për të qenë sa më pak të ndikuar nga faktorët e jashtëm. Në këtë mënyrë, anëtari i jurisë është më i lirë të vlerësojë në bazë të kritereve të mësipërme. Konfidencialiteti ruan gjithashtu një anëtar jurie nga vendime të ashtuquajtura “jopopullore”- thotë Lami.
Blendi Lami , pedagog
Një tjetër anëtarë e jurisë e cila është prononcuar për GazetaSi është dhe gazetarja dhe historiania Monika Stafa. Ajo thotë se Juria për herë të parë është mbledhur në fillim të këtij viti, sipas rregullores, pothuajse njëherësh me marrjen e listave të botimeve të vitit 2023. Detyrat u ndanë dhe u përcaktuan etapat e punës.
“Të jesh pjesë e një jurie që kërkon të gjykojë veprat më të mira të një viti kërkon profesionalizëm por dhe sfidë, qetësi për t’u orientuar tek leximi, dhe për t’i dhënë mundësi cdo autori për ta njohur më mirë. E pranova me kënaqësi këtë ftesë për të qenë pjesë e këtij procesi edhe pse e dija që do të ishte një sfidë e vazhdueshme që krahas punës sime të përditshme me librin e kulturën, të ndalesha më gjatë tek veprat e letërsisë shqipe. Puna jonë ka vijuar në kohë me një seleksionim paraprak për të vazhduar me përzgjedhjen. Ky është një proces leximi dhe vëmendjeje që kërkon kohën e nevojshme për të cilën jemi dakordësuar për të bashkërenduar punën dhe afatet kohor”, deklaron Stafa.
Për kriteret e përzgjedhjes ajo thotë se si kriter kryesor vlerësimi është marrë parasysh cilësia e materialit. “Cilësia nuk na ka zhgënjyer asnjëherë dhe ajo ka sjelle çuditërisht burime të kënaqshme letrare nga të gjitha moshat dhe kategorite shoqërore. Prandaj dhe nuk largohemi nga kriteri i cilësisë pasi dhe letersia europiane e kërkon pikërisht këtë”, vijon Stafa.
Monika Stafa, gazetare
Anonimiteti i jurisë -thotë ajo – është përcaktuar nga dëshira e vetë jurisë për të punuar të pandikuar e të pashqetësuar nga ndërhyrjet e mundshme që sigurisht në një botë të vogël si jona, nuk janë të pamundura.
“Vendosa të respektoj dëshirën e anëtarëve për të punuar në qetësi dhe neutralitet. Dhe kështu mbetet me mirë edhe për konkuruesit besoj, pasi kjo juri do të shfaqet pikërisht në momentin e vlerësimit, pra nuk është se i largohet përgjëgjësisë së vendimmarrjes. Përkundrazi, shfaqja e saj në momentin e duhur tregon seriozitetin e saj. Nuk jemi në një festival kënge ku konkurimi mbaron brenda dy orësh. Jemi në një proçedurë konkurimi që kërkon shqyrtimin e qindra faqeve. Kuptojeni”, përfundon Monika Stafa.
Çmimet Kombëtare në letërsi pritet të shpallen në fillim të janarit 2025.