250 kilometra në veri të rrethit arktik ndodhet “Qyteti i ngrirë” i Norilsk në Siberi.

Qyteti siberian i Norilsk u zhvillua për nxjerrjen e mineraleve në rajon, ndërsa funksiononte edhe si një vend për të burgosurit politikë. Sidoqoftë, zhvillimi i tij u përshpejtua kur, në fillim të shekullit të 20-të, gjeologu Urvantsev zbuloi depozitat e pasura të nikelit, bakrit dhe kobaltit në rrëzë të maleve Putorana.

Popullsia e qytetit filloi të rritej rreth viteve 1900. Tashmë qyteti numëron 170.000 banorë pavarësisht se stina e dimrit zgjat rreth 280 ditë. Stuhitë e dëborës e godasin qytetin rreth 130 ditë dhe qyteti mbulohet nga errësira totale për dy muaj. Alternimi i ditëve dhe netëve polare shkakton ankth, nervozizëm, përgjumje dhe depresion tek banorët.

Për shkak të kushteve të motit, banorët janë të detyruar të kalojnë pjesën më të madhe të kohës në ambiente të mbyllura. Pavarësisht se ndodhet brenda Rrethit Arktik, Norilsk ka një klimë subarktike me dimër shumë të gjatë e të ashpër dhe me verë të shkurtër e të butë. Norilsk është i mbuluar me borë reth 250-270 ditë në vit.

“Dielli i mesnatës” është mbi horizont nga 21 maji deri më 24 korrik, ndërsa periudha kur dielli nuk lind, “Nata polare” është nga 30 nëntori deri më 13 janar. Ndonjëherë në korrik temperatura kalon 25 ° C. Pjesa më e madhe e zonave përreth janë të mbuluara nga tundra natyrore pa pemë.