Edhe sot, në Kuvendin e Shqipërisë është mbledhur Komisioni për Dezinformimin, i drejtuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe. Kësaj herë pjesë e Komisionit të Dezinforimit ishte edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha. Në fjalën e tij, ministri u ndal tek kërcënimet që ka rajoni nga propaganda, kryesisht nga Rusia. Edhe pse vendi ynë është më pak i prekuri në rajon, sërish ka fushata dezinformuese ruse në rajon. Ministri u ndal edhe tek sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë në 2022, duke shtuar se falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, si FBI dhe Microsoft, pasojat e sulmit u minimizuan.
“Autorët kryesorë të fushatave hibride dhe format kryesore të tyre në sulmet kibernetike, si edhe të çdo aktiviteti tjetër të zonës gri janë aktorë shtetërorë dhe organizata të sponsorizuar prej tyre dhe më pak organizata biznesi joqeveritare. Në nivel global është gjerësisht e pranuar se aktor kryesor të luftë hibride janë katër shtete kryesore, Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut. Në vendet e Ballkani Perëndimor, ndër vendet më aktive në luftën hibride është Rusia. Rajoni i Ballkanit Perëndimor ndodhet i ndarë dhe në të veprojnë forca konkurrues e politike. Rusia ka shtuar prezencën dhe ndikimin në rajon duke kundërshtuar dhe vonuar procesin e integrimit europian të këtyre vende përmes influencës politike por edhe ekonomike. Pranohet se propaganda politike e Moskës nuk vjen direkt nga Moska, por vjen e ripaketuar në të njëjtën mënyrë si të vinte nga andej dhe shpërndahet përmes satelitëve të saj në rajon. 90% e kësaj propagande ruse bëhen në gjuhën serbe. Shqipëria është më pak e prekur dhe më pak e ndikuar nga kjo fushatë hibride e Rusisë dhe satelitëve të saj në rajon. Kohët e fundit vlerësohet se infrastrukturës dezinformuese ruse në rajon i janë shtuar portale edhe në gjuhen shqipe, vazhdojnë të kenë shikueshmëri dhe lejueshmëri të kufizuar dhe numër të vogël klikimesh,”- vijoi Hoxha.
Pas mbledhjes, si çdo herë, Braçe dha edhe një prononcim të shkurtër për mediat. Sipas tij, nëse nuk adresohen boshllëqet ligjore për dezinformimin në internet, mund të ketë ndikim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke marrë si shembull rastin e Rumanisë.
“Nëse ky boshllëk nuk përmbushet para zgjedhjeve do ketë probleme në financimin fushatave, por edhe sa i takon dizinformimit. Mjafton t’iu sjell rastin e Rumanisë,”- tha Braçe.
Më pas u ndal tek çështja “e nxehtë” e sigurisë në rrjet. Sipas tij, është e vështirë që të identifikohen të miturit në rrjetet sociale, pasi përdorin numra celularë që nuk janë në emër të tyre. Zgjidhje për të është që prindërit të kur blejnë numra të deklarojnë që do jetë në përdorim të fëmijëve, kështu që të kufizohet aksesi i tyre në rrjet.
“Si sot, edhe në seanca tjera kemi verifikuar që numrat e telefonit që përdorin fëmijët nuk janë në emrat e tyre. Institucionet kanë vështirësi për t’i identifikuar dhe për të mbrojtur komunikime të fëmijëve apo me faqe interneti apo rrjete sociale si TikTok, e vështirë për të mbrojtur këtë kategori. Numrin e blen mami dhe babi. Sot na u sugjerua identifikimi i këtyre numrave, edhe kur e ble djali për babin apo vajzën, por të thotë kush e përdor dhe të këtë kufizime në internet për ato fëmijë,”- tha Braçe.
Braçe u ndal edhe tek vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani. Sipas socialistit, ngjarja u përdor për qëllime politike dhe për të sulmuar dy institucionet e drejtësisë, SPAK e BKH.
“Ngjarja në Tiranë pranë një shkolle ka sjellë në vëmendje këtë gjë. Prokuroria po bën çfarë është e mundur për ti shkuar në fund krimit. Nisur nga informacionet që u ndanë i kemi kërkuar prokurorisë të hetojë deri në fund një rast model dezinformimi që i është bashkëngjitur atij krimi. Një rast shumë i qartë dezinformimi me synim të qartë politik që vazhdon. Komisioni ka kërkuar edhe hetimin e këtij aspekti, të dezinformimit. Në raport me SPAK, BKH dhe me atakun e drejtpërdrejtë apo përfshirjen në ngjarje të këtyre institucioneve,”- tha Braçe.