Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku mori pjesë në tryezën me temë “Dhuna me bazë gjinore në hapësirën digjitale”. Gjatë fjalës së saj, ministrja Balluku u shpreh se gratë janë të ekspozuara çdo ditë ndaj dhunës online, por shtoi se duhet bërë më shumë për të parandaluar raste të tilla.

Sipas ministres, nëpërmjet kësaj tryeze, duhet të miratohet një rezolutë që do të ndihmojë në përmirësimin e situatës.

“Kjo tryezë ka një tematikë të rëndësishme që prek dy çështje të rëndësishme, barazinë gjinore, forcimin e grave, mbrojtjen ndaj dhunës dhe çka është e rëndësishme sot, ndikimin që kanë mediat sociale. Dixhitalizimi si një proces revolucionar, sot të bashku biem dakord se kemi hyrë në epokën e rev dixhital, por si çdo produkt ka benefitet dhe efektet anërore negative. Të gjithë në këtë sallë, gratë, vajzat, por jam e sigurt edhe burrat që na janë bashkuar sot në sallë, secili në një mënyrë apo në një tjetër është viktimë, qoftë kjo dixhitale apo reale. Secili prej nesh mund të ketë qenë edhe dje viktimë e një sulmi dixhital apo me bazë gjinore.

Mund të jetë çdo sekondë dhe çdo ditë. Po dëgjoja prononcime dhe copëza të ndryshme të medias, kolegë tanë deputetë tek flisnin se ajo sallë ka erë parfumesh të shtrenjta. Seksizëm total. Nuk e di që në sallën parlamentare kemi hyrë që të na mbajnë erë parfumesh. Dje kam dëgjuar një tjetër përfaqësues të politikës, i cili tregonte se si ka ndryshuar disa prej grave të këtij parlamenti në pamjen e tyre. Se di çfarë rëndësie ka pamja në rolet që kemi në parlament. Unë vesh çizmet dhe i futëm baltës nëpër kantiere. Kështu që për sa i përket sulmeve me bazë gjinore, i kemi çdo ditë dhe çdo sekondë. Jemi të gjithë të ekspozuar ndaj këtyre sulmeve. Çështja është se çfarë bëjmë së bashku për t’i parandaluar.”, u shpreh Balluku.