Rinisin sot në Bruksel takimet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian, e që mbahen aktualisht në nivel kryengociatorësh.
Ashtu siç ka ndodhur edhe herë të tjera, së pari pritet të ketë takime bilaterale të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak me shefin e delegacionit të Kosovës Besnik Bislimi, pastaj me atë të Serbisë, Petar Petkovic.
Më vonë, nëse të dy ata do të pranojnë, do të ketë edhe takim të përbashkët trepalësh. Kjo përballje vjen në kohën kur i dërguari i posaçëm i bllokut europian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajcak u ka bërë një raportim të zymtë përfaqësuesve të vendeve anëtare mbi gjendjen e këtij procesi, duke pohuar se palët kanë treguar mungesë të qartë të gatishmërisë dhe vullnetit për të bërë ndonjë progres në zbatimin e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Mandati i Lajçak, i zgjatur disa herë, përfundon në fund të muajit janar të vitit që vjen. Përfaqësuesja e re e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas është shprehur sakaq e gatshme që të angazhohet aktivisht në procesin e dialogut.
Në bashkëpunim me vendet anëtare, Kallas të vendosë lidhur me vazhdimin e dialogut, përfshirë edhe rreth asaj se a do të ketë pasardhës të Lajçakut në atë pozitë dhe kush do të jetë ai.
Burime nga BE-ja pohojnë se në takimimet e sotme do të shqyrtohen një varg çështjesh, përfshirë edhe implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Takimi i fundit i këtij niveli në kuadër të dialogut u mbajt në 23 tetor në Bruksel, dhe që prej atëherë, nuk pati më takime të tjera.