Në ditën ndërkombëtare të luftës ndaj korrupsionit, E Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn përgëzoi ndikimin e madh që SPAK ka pasur në perceptimin e publikut mbi përpjekjet kundër korrupsionit.

“Kur njerëzit mendojnë luftën kundër korrupsionit, mendojnë SPAK-un. Kjo tregon ndikimin që SPAK ka pasur, dhe kjo është një zhvillim pozitiv”, u shpreh ajo.

VanHorn theksoi gjithashtu se SPAK-u nuk vepron i vetëm. Ajo theksoi se suksesi i SPAK në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve është rezultat i bashkëpunimit me aktorët e tjerë në fushën e drejtësisë.

Këto komente u bënë gjatë nisjes së projektit “Integrity Chronicles”, një iniciativë e mbështetur nga Çmimi Impact IVLP i Departamentit të Shtetit të SHBA, në partneritet me Ministrinë për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Projekti u lançua në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe ka si objektiv të promovojë një kulturë të integritetit dhe transparencës në administratën publike.