“Ju siguroj për angazhimin tim maksimal në krye të SEPCA-s dhe të Policisë së Shtetit Shqiptar për të punuar bashkërisht duke thelluar më shumë bashkëpunimin e deritanishëm. Ne jemi punonjës policie dhe kemi një mision: luftë pa kompromis krimit për të garantuar sigurinë e qytetarëve të vendeve tona. Te Policia e Shtetit Shqiptar do të gjeni angazhim, përkushtim, vendosmëri dhe besueshmëri për të zhvilluar hetime dhe operacione të përbashkëta. Pjesëmarrja e presidentit të Interpolit dhe përfaqësuesve të tjerë të agjencive ligjzbatuese është tregues i mbështetjes dhe besimit që ata kanë te puna jonë, dhe kjo na obligon për të ecur përpara, duke korrigjuar ato që s’kemi bërë mirë dhe duke ndërmarrë hapat e duhur për të parandaluar e goditur krimet globale që kërcënojnë mbarë botën, me qëllim që të mundësojmë sundimin e ligjit dhe krijimin e një ambienti sa më të pasigurt për ata që shkelin ligjin.”

Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të SEPCA-s, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutonin mbi situatën aktuale dhe rolin rajonal të SEPCA-s në luftën kundër kontrabandimit të qenieve njerëzore dhe trafikimit të emigrantëve, sinergjitë rajonale në luftën kundër krimit kibernetik, forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit operacional rajonal në luftën kundër të gjitha fenomeneve kriminale që prekin vendet e rajonit të SEPCA-s, rritjen e bashkëpunimit në fushën e trajnimeve, si edhe mbi rëndësinë dhe vlerësimin e rolit të grave në radhët e Policisë.

Në përfundim të këtij aktiviteti, u zhvillua edhe ceremonia e marrjes së presidencës së SEPCA-s nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit do ta mbajë postin e Presidentit të SEPCA-s deri në muajin dhjetor të vitit 2025.

Drejtori i Përgjithshëm, përgjatë asamblesë, zhvilloi takime të shumta me homologët e SEPCA-s dhe përfaqësuesit e agjencive ligjzbatuese, të cilët i garantoi për angazhimin dhe vendosmërinë e tij dhe të Policisë së Shtetit për të forcuar bashkëpunimin në interes të sundimit të ligjit.

Asambleja e Përgjithshme e SEPCA-s (Shoqata e Shefave të Policisë të Evropës Juglindore) u mbajt në Beograd. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë të vendeve anëtare të SEPCA-s dhe Koordinatorët Kombëtarë të saj.

Të ftuar në këtë aktivitet ishin edhe Presidenti i Interpolit, Gjeneral Major Dr. Ahmed Naser Al Raisi, Ministri i Brendshëm i Republikës së Serbisë, Zoti Ivica Dacic, përfaqësues të OSBE-së, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Europolit, Cepolit, B.K. Austriak, Projektit EU4FAST, etj.