Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve Donald Trump vijon me emërimet për postet kyçe në administratën e tij. Në fund të nëntorit Trump njoftoi se kishte zgjedhur babain e dhëndrit të tij Jared Kushner, Charles Kushner, për të shërbyer si ambasadori i ardhshëm i SHBA në Francë. Trump e përshkroi Charles Kushner si një lider biznesi shumë të suksesshëm, filantrop dhe tregtar, me përvojë të thellë në industrinë e pasurive të paluajtshme.
“Charlie është Themeluesi dhe Kryetari i Kompanive Kushner, një nga firmat më të mëdha dhe më të suksesshme private të pasurive të paluajtshme në vend. Ai u njoh si Sipërmarrësi i Vitit në New Jersey nga Ernst & Young, i emëruar në Këshillin e Përkujtimit të Holokaustit në SHBA dhe shërbeu si Komisioner dhe Kryetar i Autoritetit Portual të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, si dhe në bordet e institucionet tona më të larta, duke përfshirë NYU”, shkroi Trump në një postim të Truth Social.
Këtë javë Trump njoftoi se do të emërojë Kimberly Guilfoyle, të fejuarën e djalit të madh të tij, si ambasadore të SHBA-së në Greqi. Guilfoyle, ish-prokurore e Kalifornisë dhe ish-prezantuese e lajmeve, ka drejtuar operacionet për mbledhjen e fondeve për fushatën e Trumpit në vitin 2020.
“Unë jam shumë krenar me Kimberlyn. Ajo e do Amerikën dhe gjithmonë ka dashur t’i shërbejë vendit si ambasadore. Ajo do të jetë një udhëheqëse e mahnitshme për lëvizjen Amerika e Para”, tha në një postim në mediat sociali i fejuari i saj.
Në një mesazh në rrjetet sociale Guilfoyle tha se ndihej e e nderuar që pranoi emërimin e presidentit Trump për të shërbyer si ambasadore e ardhshme në Greqi dhe se pret mbështetjen e Senatit për këtë.
Ndërsa në fillim të këtij muaji, Trump ka emruar miliarderin Massad Boulos për të shërbyer si këshilltar i lartë për çështjet arabe dhe të Lindjes së Mesme. Gjithashtu Trump e bëri njoftimin në rrjetin e tij social Truth Social, duke thënë se Boulos është shumë i respektuar në botën e biznesit, me përvojë të gjerë në skenën ndërkombëtare. Boulos, vjehrri i vajzës së Trump, Tiffany, zhvilloi takime radhazi me liderët arabo-amerikanë dhe myslimanë gjatë fushatës së presidentit republikan. Ai ka të ngjarë të punojë me Steve Witkoff, të cilin Trump e emëroi muajin e kaluar si të dërguarin e tij special për Lindjen e Mesme.
“Ai është një mbështetës prej kohësh i vlerave republikane dhe konservatore, një pasuri për fushatën time dhe instrument në ndërtimin e aleancave të reja me Komunitetin Arabo-Amerikan. Massad është një negociator dhe një mbështetës i palëkundur i paqes në Lindjen e Mesme”, tha Trump.