Reagime të tronditura pas sulmit të së premtes në Magdeburg, Gjermani, ku humbën jetën dy vetë dhe u plagosën 68 të tjerë. Një i dyshuar është arrestuar. Hetimet vazhdojnë.

Sulmi i së premtes vonë në Magedburg (20.12.) ka tronditur Gjermaninë dhe ka shkaktuar reagime të mëdha. Kancelari, Olaf Scholz pritet të vizitojë të shtunën vendin e ngjarjes. Scholz shkroi në X: “Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ne qëndrojmë krah tyre dhe pranë njerëzve në Magdeburg”. Kancelari gjerman shprehu falënderimin e tij për “forcat e përkushtuara të shpëtimit në këto orë ankthi”.

Edhe Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier u shpreh i prekur thellë lidhur me mësymjen e një automjeti në tregun e Krishtlindjes në Magdeburg, që mendohet se mund të jetë një sulm. “Gëzimi për festën e Krishtlindjes u pre”, shkroi presidenti në platformën X. “Me mendje jam pranë viktimave dhe të afërmve të tyre. Falenderoj të gjitha forcat e shpëtimit për angazhimin e tyre.” Steinmeier tërhoqi vëmendjen, se ende “nuk është zbardhur i gjithë sfondi i këtij akti të tmerrshëm.”

Reagime vijnë edhe nga Europa. Presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh në platformën X mjaft i tronditur, dhe shkroi se Franca ndan trishtimin me popullin gjerman. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen dënoi aktin “brutal dhe frikacak” dhe theksoi se “ky akt dhune duhet të hetohet dhe të dënohet ashpër.” Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha gjithashtu se ai kishte kontaktuar kancelarin Scholz dhe i kishte shprehur ngushëllimet e tij.

Kryeministri i landit të Sakoni-Anhalt, Reiner Haseloff (CDU) bëri fjalë për një tragjedi dhe katastrofë të tmerrshme për qytetin e Magdeburgut dhe Gjermaninë. Ai shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, uroi shërim të shpejtë dhe falënderoi shërbimet e emergjencës për punën e tyre. Edhe politikanë të tjerë gjermanë reaguan të tronditur pas sulmit në Magdeburg dhe shprehën ngushëllimet e tyre. Ndër të tjera, kandidati për kancelar i Unionit Friedrich Merz, kandidati i Gjelbër për kancelar Robert Habeck, dhe kandidatja e AfD Alice Weidel, si edhe kandidati kryesor i FDP për kancelar, Christian Lindner.

Nga ana e saj, Arabia Saudite dënoi aktin në Magdeburg dhe shprehu solidaritetin e saj me Gjermaninë. Qeveria në Riad shpreh “solidaritetin e saj me popullin gjerman dhe familjet e viktimave” dhe thekson “refuzimin e dhunës”, deklaroi Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite në shërbimin online “X”.