Juventusi po shqyrton mundësi të ndryshme për të forcuar sulmin në dy dritaret e ardhshme të merkatos.

Më shumë se një herë, shkruan gazeta “TuttoSport”, skautët e Juventusit kanë ndjekur nga afër Cristian Shpendin, sulmues i datëlindjes 2003 të Cesena-s dhe aktualisht kryegolashënues i kampionatit të Serisë B me dhjetë gola.

Në vitin e tij të parë në kategorinë e dytë, futbollisti i lindur në Ankona nga prindër shqiptarë po bën diferencën dhe ideja e klubit torinez është ta blejë atë në janar dhe ta përfshijë në skuadrën e Juventusit që nga vera e ardhshme.

Por ka edhe një ide tjetër për të forcuar skuadrën në mënyrë të menjëhershme: bëhet fjalë për Randal Kolo Muani, sulmues i datëlindjes ’98 që nuk po gjen hapësirë te Paris Saint-Germain.

Ideja e Cristiano Giuntolit është të përfitojë nga kjo situatë dhe ta angazhojë lojtarin me një huazim të përkohshëm.

Për mundësinë e shitjes së Milan Skriniar dhe Randal Kolo Muani në dritaren e ardhshme të merkatos, Luis Enrique ka thënë disa ditë më parë:

“Është një moment i vështirë për të gjithë sepse duhet të shohim nevojat në terma blerjesh dhe të vlerësojmë lojtarët që duan të largohen. Por shpresoj deri në fund që këta lojtarë të më bindin se meritojnë të luajnë.”