Forumi Rinor i Partisë Demokratike e kujton sot ‘8 Dhjetorin 1990’, Ditën e Rinisë, me një marshim nga qyteti Studenti, për të vijuar drejt Kryeministrisë.
Marshimit i është bashkuar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Tek sheshi ‘Demokracia’ në qytetin ‘Studenti’, Berisha mbajti fjalën para të pranishmëve dhe bustit të Azem Hajdarit, për të cilin kujtoi ngjarjet e 8-9 Dhjetorit të 34 viteve më parë.
Ish-kryeministri nën akuzë për dosjen e aferës “Partizani”, sulmoi edhe George Sorros, duke e quajtur si mafia ndërkombëtare dhe si autorin që ‘i dha drejtësinë Ramës në dorë’ për të sulmuar atë (ishj-kryeministrin), pasi ishte pengesë për ta. Madje Berisha e ka cilësuar veten si një “gjysmë pensionist” i dorëhequr, kur e sulmuan.
“Mafia ndërkombëtare me në krye George Sorros, këtë mostër të njerëzimit, mostër e vërtetë, që përdor miliardat e tij për të sulmuar jo më pak se identitetin njerëzor, bazën e familjes, shkonfiguruar familjen, kombet. Pasi i dha drejtësinë Ramës në xhep me reformën e tij, tani duhet t’i hiqte opozitën dhe të plotësonte sundimin e tij absolut në Shqipëri. Gjykuan se kishin një pengesë, një politikan gjysmë pensionist, dhe ky ishte Sali Berisha. Që kishte dhënë dorëheqjen 8 vite më parë, por i qëndronte njëlloj si në diktaturën e parë, mbronte vlerat e shoqërisë, familjes, interesin kombëtar, ndaj edhe e sanksionuan. Me synimin e vetëm që partia jonë të shndërrohej aleat e partisë socialiste, të krijohej koalicion i gjerë. Por merita juaj është se mes të parëve u ngritët kundër grushtit të shtetit që u bë për ta dorëzuar”, akuzoi Berisha.
Kreu i PD, i sapoliruar nga arresti shtëpiak ku qëndroi për gati një vit, kujtoi ndër të tjera edhe figurën e Azem Hajdarit, duke thënë se gjatë takimit me të në rrugë, i kishte kërkuar që ish-kryeministri t’i printe qytetarët dhe studentët në 1990.
“Ju falënderoj që keni ardhur sot, për të nderuar veprën e legjendarit dhe tribunit Azem hajdari, lider i lëvizjes së Dhjetorit 90. Këtu, 34 vite më parë, një grup studentësh dalin në shesh dhe nisin protestën e parë studentore në histori për vendin, rreshtojnë një seri kërkesash ndaj regjimit. Beteja me studentët është më e vështira. Razim Alia i thirri natën Hajdari i tha se po protestonin për lirinë. Diktatorët e rinj kanë mbyllur këtë sallë për ju (sheshi ku u mblodhën studentët para 34 vitesh). Por si i pabesë që ishte ai nxori skampistët ndaj studentëve me ministrin Hekuran Isai, që të dorëzoheshin e mos të dilnin më. Më 9 dhjetor bashkë me shkrimtarin Besnik Mustafai u nisëm drejt tyre. Zona e Liceut dhe Azem Hajdari dukej teksa ngrihej mbi supin e tyre. Me thirrje poshtë dinastia, diktatura, liri demokraci. Por ato djem dhe vajza ishin të rrethuar nga garda, skampistë, police dhe ushtri. U vërsulen kundër tyre me egërsi të paparë. U nisëm drejt konvikteve, se mund të kishte të plagosur. Takojmë një grup me Azemin, të mavijosur, por të pamposhtur. Më kërkuan a mund të na përfaqësosh? Jo, unë përfaqëson Sali Berishën! Por unë ju mbështes ju dhe ju mbështes fortë. Atëherë më tha kemi të plagosur shumë. Dhe kishim merak se mos keqtrajtoheshin në spitale. Jo i thashë se nuk do keqtrajtohen, se jam mjek pedagog jam në spital. Kemi të burgosur. Për ata i them nuk i njoh, nuk e di…”, kujtoi Berisha
Më tej ai akuzoi qeverinë aktuale si narkoshtet, teksa tha se po bëhen arrestime politike ndaj opozitës, me qëllim që të grabisin zgjedhjet, duke e krahasuar situatën me Tunizinë:
“Përkujtojmë këtë ngjarje në kushtet e një diktature të re, e cila sado mund të çuditi, por studiuesit më të mëdhenj e kanë quajtur me të keqen e diktaturave, narkokraci dhe e bandave. Të gjitha pushtetet janë në dorë të një njeriu, padrinos së shqiptarëve, antishqiptari që s’njeh as moral. Zgjedhjet i ka shndërruar në fasadë, diktaturë që bën arrestime politike. Edhe në Tunizi diktatori i fitoi 92 për qind zgjedhjet pasi arrestoi liderët e opozitës dhe nuk është rastësi krahasimi. Ka ndërtuar narkoshtetin e parë në Europë, diktaturë që nuk respekton ligje dhe vendime gjykatash. Shndërrimi i Shqipërisë në protektorat krimi”, tha ai.
Ai e cilësoi situatën aktuale si një diktaturë e re dhe kërkoi me thirrje për të pranishmit se tani “duhet vetëm sulm”, për të shembur “diktaturën më të keqe të drogës dhe krimit”.
“Ne do shkojmë në zgjedhjet e 11 Majit të sigurtë në fitore. Është radha jonë, do ta rrëzojmë diktaturën, sikur bora nga dielli i nxehtë. Do bëjmë gjithçka që kjo Shqipëri të kthehet te shqiptarët. Është radha jonë, radha jonë, fitore!”, u shpreh kreu i PD në fund të fjalës së tij.