Nga Ermal Peçi!
“Të flisja gjuhët e gjithë botës e mos të ndjeja dashuri, do të isha si një gur i heshtur, i paharruar në vetmi”, këto ishin vargjet e kënduara nga Elsa Lila, në këngën “Pyes Lotin”, me të cilën u prezantua në festivalin e 35-të këngës në RTSH. Një zë i embël i cili i këndonte dhe i këndon shpirtit dhe dashurisë e cila mund të shërojë shumë plagë të cilat jeta ti shkakton.
Elsa Lila me zërin, qytetarinë dhe kulturën e saj është një nga ambasadoret më të mira të vendit tonë përtej kufijve por sidomos në Itali. Interpretimi i saj magjik i këngës “Valeria” e bëri edhe në Itali një yll që meriton çdo lëvdatë edhe pse modestia e Lilës është vërtetë për tu habitur. Një modesti për tu çmuar për atë që ajo ka arritur vetëm me talent, orë pune pafund, vullnet, një zë magjik dhe një këmbgulje prej njeriu fitimar dhe guximtar sepse në fund të ditës bota ju përket guximtarëve.
Elsa Lila e pyeti përsëri “lotin” kur u përballë me situatën më të pakëndshme, të padëshiruara e aspak të kërkuara prej saj gjatë një kontrolli policor në banesë, që e ndan nga zemra, shpirti, oksigjeni dhe fryma e cila është vajza e saj Evita.
“Mirë se erdhe në Rebibbia”, titullohet libri ku Elsa Lila ka treguar atë çfarë ajo përjetoi në 55 ditë në një nga burgjet e Italisë duke provuar edhe qelitë famëkeqe të cilët ne i kemi parë vetëm në filma e i kemi lexuar në libra për mafien italiane e cila është qelia 41 BIS. Në fakt përveç këtyre peripecive, vështirësive, përjetim emocional shumë të fortë, tentativës për vrasje në burg, e sa e sa shumë gjëra të tjera të një “ferri që kishte edhe engjëjt e vetë” në gjirin e vetë. Elsa na tregoi edhe një botë të cilën ne nuk e njohim, nuk e prekim por e lëmë aty veçmas se dënimi do t’i japë përgjigjen e merituar, se çfarë ndodh brenda një burgu e si funksionojnë rregullat, normat dhe hierarkia por edhe zemërgjerësia në momente të vështira.
Kam rreth 1 muaj që e kam lexuar librin e Elsës i cili realisht më ka pëlqyer shumë për mënyrën se si ishte shkruar dhe mesazhet që kishte në brendësinë por edhe përjetimet kur lexoje se çfarë procesi kalonin këta të dënuar brenda një burgu. Edhe pse unë kam spikatur si gazetar me shkrimet dhe verbin në analizat politike, formimi im parësore është sociolog dhe ndërkohë që lexoja librin, diskutoja me zyshën time (pedagogen time) Merita Ponin mbi rëndësinë e drejtësisë tranzitore dhe këtu “u ndez” edhe llamba ime e mendimit për ta parë këtë libër në një optikë sferike.
Nuk e di se cili ka qenë qëllimi i Elsa Lilës kur e ka shkruajtur këtë libër; të tregonte ferrin që përjetoi padrejtësisht apo të tregonte diçka më shumë. Në ato dyer që mbylleshin me shul hekuri, ku hapësirën e ajrit e kishe të limituar dhe kishe vetëm vetveten në errësirën e ditës e të natës, a u mundua Elsa Lila të hapte një dritare ku të binte pak diell në atë vend të harruar nga shoqëria?! Në optikën time analitike ky libër e kjo histori e përjetuar padrejtësisht mbi Elsa Lilën ngre disa pyetje ekzistenciale të cilat duke lexuar librin të vijnë vetvetiu.
Pyetja e parë lidhet se kush ia jep të drejtën policisë që pasi të arreston në mënyrë të dhunshme, të filmon, të shpërndan pamjet në çdo media, ka të drejtë të të shkatërrojë jetën kur në fund të ditës nëse je fajtor apo jo e vendos gjykata.
Pyetja e dytë, lidhet me mungesën e profesionalizmit të medias në Shqipëri të cilat në pamundësi të hulumtimit të politikanëve të korruptuar gjetën një artiste për të ushqyer turmat me informacione të cilat në fund dolën të pavërteta për Elsa Lilën. Kush mban përgjegjësi për shkatërrimin e një imazhi dhe të një vajze Self Made?!
Pyetja e tretë më ekzistenciale e cila sot diskutohet në çdo vend të botës së zhvilluar lidhet me përplasjet që ka drejtësia me anën sociale. A do të duhet të ketë një ndërthurrje midis sistemit penal dhe atij social dhe kush prevalon mbi atë se çfarë do të duhet t’i ofrojmë shoqerisë.
Pra, burgjet do të duhen të jenë sipas konceptit të Mishel Fucos(disiplinë dhe ndëshkim) apo duhen krijuar mekanizma që burgu do të duhet të jetë një vend rehabilitues që kur të dalësh nga aty të kesh mundësi të nisësh një jetë të re, dhe jo të jesh në mes të katër rrugëve.
Mund të shkruaja akoma edhe më shumë për këtë rrëfim të Elsa Lilës por ju ftoj të lexoni librin e saj. Jo vetëm mund të lexoni librin por do të keni mundësinë që në datën 27 dhjetor të dëgjoni dhe ridëgjoni zërin e saj magjik me një koncert në fundvit që do mbahet në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë. Arti, muzika e fuqia e shpirtit të një artiste si Elsa Lila, mund të tregojë nëpërmjet shkrimit ferrin që përjetoi 55 ditë në një kafaz të mbyllur dhe më pas nëpërmjet zërit të saj të të përcjellë emocionin dhe parajsën për shpirtin, zemrën dhe mendjen e njërëzve.