Që nga viti 2013 Partizani ka hyrë në një epokë të re, që duhet thënë se është vepër e presidentit Demi, i cili i ka garantuar klubit siguri financiare dhe ka investuar në rikthimin e infrastrukturës dhe ndërtimit të një stadiumi privat. Me rikthimin në Kategorinë Superiore duhet thënë se Partizani ka arritur të regjistrojë një ecuri mbresëlënëse në derbi.
Të kuqtë hynë në historinë ndeshjeve kundër Tiranës, duke regjistruar një ecuri prej afro gjashtë vitesh pa humbur derbin. Por le të merremi pak me trajnerët dhe rezultatet e tyre kundër Tiranës.
TË PAMPOSHTURIT – Në 11 vitet e fundit te Partizani një numër i madh trajnerësh kanë dalë të pamposhtur nga derbet me Tiranën. Ata janë Marcio Sampaio (1 ndeshje), Shpëtim Duro (4 ndeshje), Sulejman Starova (5 ndeshje), Andrea Agostineli (2 ndeshje), Skënder Gega (4 ndeshje) dhe Orges Shehi (2 ndeshje). I pamposhtur është edhe Aleksandar Veselinoviç, por ky i fundit duhet ta konfirmojë pathyeshmërinë edhe në betejën e së dielës, i dytë për të si trajner i “demave”. Sa i përket të pamposhturve duhet thënë se Starova mbetet rekordmeni me pesë ndeshje, i ndjekur nga Gega dhe Duro me nga katër. Ecurinë perfekte e ka vetëm Shehi me dy fitore në dy ndeshje në total.
VAZHDIMËSIA – I vetmi trajner që ka luajtur më shumë se katër derbe pa u shkëputur nga stoli është Ilir Daja. Tiranasi është I vetmi trajner që ka qëndruar te Partizani edhe në sezonin pasardhës pasi është emëruar. Të gjithë të tjerët, edhe në dy rastet kur kanë fituar titullin (Gega dhe Kolela), janë larguar pas një sezoni ose më pak.