Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha doli pak pas mesditës, nga selia blu, këtë të shtunë për të deklaruar se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është arratisur, për shkak të përballjes që ka me SPAK-un.

Ky qëndrim çoi në reagimin e menjëhershëm të kryebashkiakut, Erion Veliaj. Ai u shpreh se nuk ishte arratisur siç pretendonte Berisha, por se pas dy ditësh do të kthehej sërish në Tiranë.

Analisti Frrok Çupi, i ftuar në “Ora e Fundit” tha se Berisha i sajon dhe i ndërton lajme të tilla, një qëndrim të cilin ai e ka treguar edhe në të kaluarën.

“Jemi mësuar se Berisha jep lajme të këqija. Lajme që i sajon, i ndërton dhe i thotë ashtu. Në ketë rast është një lidhje psikologjike, për arsye se Berisha është i fiksuar me Amerikën, atë që Amerika që s’ia jep atij, prapa vrimës së çelësit i shikon të tjerët me zili. Berisha është në një situatë të rëndë, s’ka ku shkon më keq. Berisha është më i korruptuari në botë”, tha ai.

Ai theksoi se shikon disbalanca në sistemin e drejtësisë, pasi Berisha me të gjithë ato akuza qëndron ende i lirë, kurse të tjerët që nuk sulmojnë drejtësinë e re merren dhe dërgohen në burg.

Duke folur për rastin e Veliajt, analisti Çupi u shpreh se fakti që je nën hetim nuk do të thotë se je i fajshëm.

“Nëse nuk do ishte nën hetime kryetari I bashkisë në Tiranë diçka do të ishte mangët, diçka do mungonte, sepse edhe jashtë hetohen kryebashkiakët për shkak të natyrës së punës. Fakti që është nën hetim, do të thotë mund të jetë i fajshëm ose jo i fajshëm. Shikoj disbalanca në drejtësinë e SPAK dhe atë të GJKKO”, tha ai.