Vajza e Dritëroit, Elona Agolli, ka disa vite që ka hapur arkivin e panjohur të shkrimtarit të madh, e çdo ditë publikon në rrjetet sociale pjesë nga ai thesar i madh.

Dorëshkrime, poezi të pabotuara, shënime me humor, apo me mjaft ndjeshmëri e dramatike, por edhe ditar politik, janë pjesët e vyera që publikohen çdo ditë nga Elona.

Sot ajo ka publikuar shënimet e shkrimtarit të madh, në ditar, në lidhje për një fjalim të fortë në aktivin e PPSH-së, në muajt e parë të vitit 1990. Ku udhëheqësit e PPSH-së ju vërtitën me të madhe, të nxitur nga Ramiz Alia.

Po publikojmë më poshtë shënimin e Dritëroit

Kujtime nga Dritëro , për ngjarje politike e jo vetëm , në fillim vitin 1990 …

“… Nga muajt e parë të vitit 1990 , kur i gjithë shteti merrte frymë me zor dhe duke rënkuar hiqej zvarrë , Ramiz Alia mendoi të bënte një aktiv kombëtar të Partisë për t’i vënë ndonjë mballomë kapotës së grisur të regjimit. Një ditë më parë , bile më saktë në darkë, më erdhi një letër e gjatë mbi 50 faqe daktilografike nga një miku im Trim Gjata, njeri i mençëm , kritik nga më të zotërit dhe tepër i ndershëm. Në letër, ndër të tjera, ai sugjeronte se i duhej bërë një kritikë dhe analizë të thellë veprimtarisë së Enver Hoxhës, gabimeve të rënda të PPSH në fushën politike dhe ekonomike, në luftën e klasave e të tjera. Letra kishte pseudonimin, nëse nuk gabohem Kiu Kiu. Mua ajo më ngjalli interes të madh dhe vendosa ta përdor në diskutimin tim. Por mua, Trim Gjata nuk më kishte thënë se këtë letër ia kishte dërguar edhe Ramiz Alisë, doemos pa emrin e tij, pasi ishte e rrezikshme dhe e paguaje me kokë në atë kohë kur ende nuk kishte filluar lëvizja demokratike dhe Dhjetori i studentëve ishte ende larg . Unë e fillova diskutimin tim me një citat të gjatë nga letra e Trim Gjatës. Ishte një citat i frikshëm, ku flitej se po vjen katastrofa e regjimit totalitar. Në sallën e aktivit u bë një heshtje varri dhe vrapoi një frikë e llahtarshme. Kokat e militantëve të partisë kishin ngrirë me gojë të hapura. Ku do të dalë ky i paudhë me këtë diskutim !- mendonin këto koka. Ndërkohë përnjëherësh u hodh nga presidiumi Ramiz Alia dhe ma preu fjalën :

– “ Ti po lexon një letër , që e kam edhe unë !”- tha ai .

-“ Po – i thashë – atë letër kam !”-dhe i mbylla fletët e diskutimit, duke u bërë gati për të ikur nga tribuna.

Atëherë nga salla m’u hodhën plot tërsëllimë , sidomos anëtarët e byrosë politike :

– Cili je ti , që krijon gjendje alarmi dhe paniku, more? Nga paske ardhur? – Flisnin sikur nuk më njihnin.

Ramiz Alia as nuk priti se çfarë do të thosha unë pas citatit nga letra e Trim Gjatës. Ai u bë nxitje e kokëmishëve të aktivit për të më quajtur mua si një njeri që kishte ardhur për të diskutuar i nxitur nga një letër reaksionare. Ai as e mori vesh ndonjëherë se çfarë kishte diskutimi im pas atij citati . E mori vesh se çfarë do të ishte ai diskutim vetëm në Kongresin e 10-të të Partisë së Punës, ku unë e bëra të plotë kritikën ndaj Enver Hoxhës, të nisur që në aktivin famëkeq kombëtar të Partisë dhe të lënë ende të pafilluar. Edhe në Kongresin e 10-të, Ramiz Alia sa fillova të flas, e kuptoi se çfarë do të thosha dhe uli kokën…”