Assad dhe anëtarët e familjes së tij përfituan azil politik në Rusi, pasi presidenti u rrëzua nga pushteti.

“Assad dhe anëtarët e familjes së tij mbërritën në Moskë. Rusia, për arsye humanitare, u dha atyre azil”, tha një burim i Kremlinit në mënyrë specifike për agjencitë publike të lajmeve TASS.

Ndërkohë, një foto ka qarkulluar në rrjetet sociale, e cila thuhet se i përket ditës së sotme dhe është shkrepur në Moskë, në kohën kur Assad ka mbërritur atje bashkë me familjen e tij. Në foto Assad shihet i shoqëruar nga në grua dhe katër burra.

Kishte shumë spekulime mbi vendndodhjen e Asadit pas raportimeve se ai ishte larguar nga Damasku përpara se rebelët të arrinin atje mëngjesin e sotëm, 8 dhjetor.

Rusia, një nga aleatët më të ngushtë të Asadit, konfirmoi më herët sot se ai ishte larguar nga Siria, por nuk tha se ku ishte, apo nëse Moska i kishte dhënë strehim.

Rënia e Bashar al-Assadit ishte e paimagjinueshme një javë më parë, kur rebelët filluan fushatën e tyre nga baza në Idlib, në veriperëndim të Sirisë.

Assad erdhi në pushtet në vitin 2000 pas vdekjes së babait të tij Hafez, i cili sundoi vendin për 29 vjet – dhe ashtu si djali i tij, me një dorë të hekurt. Assad junior trashëgoi një strukturë politike të kontrolluar fort dhe represive. Në fillim, kishte shpresa se ai mund të ishte ndryshe, më i hapur, më pak brutal. Por ato shpresa ishin jetëshkurtra.

Assad do të mbahet mend përgjithmonë si njeriu që shtypi brutalisht protestat paqësore kundër regjimit të tij në vitin 2011, të cilat çuan në një luftë civile. Më shumë se gjysmë milioni njerëz u vranë, gjashtë milionë të tjerë u shndërruan në refugjatë.

Me ndihmën e Rusisë dhe Iranit, ai shtypi opozitën dhe mbijetoi. Rusia përdori fuqinë e saj të frikshme ajrore ndërsa Irani dërgoi këshilltarë ushtarakë në Siri dhe Hezbollahu, milicia që Irani mbështet në Libanin fqinj, vendosi në Siri luftëtarët e vet të mirëstërvitur.