Zëri i Amerikës: Brenda dy muajsh, Shqipëria arriti të hapë dy grupe kapitujsh. Megjithatë ambicia juaj është që bisedimet të mbyllen brenda vitit 2027. Sa realiste është kjo, duke patur parasysh që fqinjët tanë kanë kaluar vite të tëra e ende janë larg?

Kryeministri Rama: Kjo nuk është ambicia ime tanimë, por është plani i përbashkët strategjik i shkruar dhe i dakordësuar së bashku me Komisionin Europian. Është një plan konkret, me hapa konkrete, me data konkrete dhe është shumë ambicioz, por ne jemi të angazhuar që ta realizojmë pikë për pikë dhe që, përsa na takon, detyrat për mbylljen e negociatave t’i kemi kryer brenda vitit, që kemi përcaktuar.

Zëri i Amerikës: A është e përgatitur administrata shqiptare për ta përballuar këtë proces? Sepse po i referohem këtu raportit të fundit të Komisionit Europian, dhe më lejoni të citoj, ku thuhet se qeveria, për shembull, “vazhdoi të miratonte politikat dhe ligjet, duke ngritur shqetësime në lidhje me respektimin e standardeve të BE-së”, apo se “një pjesë e mirë e rekomandimeve të Komisionit Europian ose ishin zbatuar pjesërisht, ose nuk ishin zbatuar fare”.

Kryeministri Rama: Këto nuk kanë asnjë lidhje me pyetjen apo me përmbajtjen e pyetjes për administratën, sepse sa e përgatitur është administrata jonë kjo natyrisht nuk duket, nëse ndjek lumenjtë e lajmeve, ku gjysmë të vërtetat që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, po edhe gënjeshtrat safi janë material sundues. Por kjo duket nga faktet dhe fakti më kuptimplotë për përgatitjen e administratës sonë është fakti që administrata jonë përballoi jo vetëm me sukses, por edhe nën sytë e befasuar të Komisionit Europian të gjithë procesin e përgatitjes së negociatave, që është një proces jashtëzakonisht i vështirë.

Nga ana tjetër, administratën tonë e gjykojnë institucione prestigjioze, të cilat funksionojnë si institucione të Bashkimit Europian, ku kam parasysh në këtë rast SIGMA-n, që e cilëson administratën tonë, në mos gabohem, në 4 nga 5 fusha të hulumtimit të kapaciteteve të administratës, si më të mirën në rajon.