Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mikpriti këtë fundjavë në Korçë ambasadorët e akredituar në Shqipëri në një retreat të veçantë në qytetin e bukur juglindor.

Hasani shkroi në rrjetet sociale se gjatë kësaj fundjave, në një atmosferë festive, u diskutua mbi zhvillimet e një viti intensiv për diplomacinë në Shqipëri, rajon dhe botë.

“Shkëmbyem ide dhe patëm mundësinë të njiheshim me histori suksesi të zhvillimit ekonomik dhe turistik të Shqipërisë, teksa vendi mbyll një vit jashtëzakonisht të suksesshëm turistik dhe me entuziazëm e angazhim përgatitemi për 2025”, përfundoi Hasani duke sjellë dhe momente nga aktiviteti.
Ambasadorët janë pritur edhe me këngë e kërcime tradicionale të zonës sikundër dhe kanë shijuar kulinarinë. Në aktivitetet e organizuara ishin të pranishëm dhe autoritete lokale.