Sëmundjet diarreike mbeten shkaku kryesor i vdekjeve për fëmijët dhe të moshuarit në mbarë botën, pavarësisht nga një rënie në vdekshmërinë e vërejtur vitet e fundit, sipas një studimi të Institutit të SHBA për Metrikën dhe Vlerësimin e Shëndetit.
Sipas hulumtimit të botuar në revistën “The Lancet Infectious Diseases” vdekshmëria globale nga sëmundjet diarreike është ulur me 60% në mbarë botën në 30 vitet e fundit, por fëmijët nën pesë vjeç dhe të moshuarit ende kanë shkallën më të lartë të vdekshmërisë, veçanërisht në Afrikë dhe Azinë Jugore.
Në vitin 2021, sëmundjet e diarresë shkaktuan 1.2 milionë vdekje në mbarë botën, duke rënë ndjeshëm nga 2.9 milionë të regjistruara në vitin 1990.
Rënia më e madhe ishte te fëmijët nën pesë vjeç (79%), por kjo grupmoshë ende ka shkallën më të lartë të vdekjeve në mesin e të gjitha moshave, e ndjekur nga ata të moshës 70 vjeç e lart.
Pabarazitë rajonale në vdekjet nga sëmundjet diarreike mbeten të theksuara. Në zonat e vendeve me të ardhura të larta ka më pak se një vdekje për 100,000 banorë në fëmijët nën moshën pesë vjeç.
Në të kundërt, Afrika Sub-Sahariane kishte më shumë se 150 vdekje nën pesë vjeç për 100,000 popullsi, shkalla më e lartë e vdekshmërisë për fëmijët në këtë grupmoshë në krahasim me rajonet e tjera të botës.
Azia e Jugut kishte shkallën më të lartë të vdekjeve në mesin e njerëzve të moshës 70 vjeç e lart me 476 vdekje për 100,000 njerëz.
Studiuesit vërejnë se ulja e vdekshmërisë nga diarreja sugjeron që ndërhyrjet shëndetësore si terapia e rihidrimit oral, forcimi i infrastrukturës së ujit, kanalizimeve dhe higjienës dhe përpjekjet globale për imunizimin e rotavirusit po funksionojnë.
Masat parandaluese kundër faktorëve kryesorë të rrezikut dhe patogjenëve mund të zvogëlojnë më tej barrën globale, shtojnë ata.