Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara kanë organizuar sulmet e rebelëve sirianë në Alepo dhe Idlib.
“Rajoni po përballet me komplotet e reja, duke përfshirë sulmet e fundit të grupeve Takfiri kundër qeverisë siriane,” tha Araghchi, duke shtuar: “Zhvillimet e fundit kanë zbuluar se këto grupe terroriste veprojnë nën komandën e Shteteve të Bashkuara.”
“Irani do të mbështesë fuqimisht qeverinë dhe ushtrinë siriane kundër grupeve terroriste,” theksoi Araghchi, cituar nga agjencia Irna.
Nga ana e tij, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, dënoi sulmin e djeshëm ndaj konsullatës iraniane në Alepo: “Sipas Konventës së Vjenës, çdo shkelje e misioneve diplomatike nga ndonjë individ, grup apo qeveri është e papranueshme,” tha ai.
Araghchi do të mbërrijë sot në Damask, për ndalesën e parë të një turi rajonal, ku do të diskutojë zhvillimet e fundit në rajon. Të hënën ai do të vizitojë Turqinë. “Irani do të mbështesë fuqimisht qeverinë dhe ushtrinë siriane kundër grupeve terroriste,” deklaroi ministri i Jashtëm iranian.