Edvin Kulluri komentoi non gratën e Sali Berishës, ndërsa thotë se nuk ka asnjë shans t’i hiqet edhe me ardhjen e Donald Trump. Kulluri tha në emisionin ‘Studio Live’, se këto janë ëndrra, teksa me ironi shtoi se Trump do i marrë dekoratën Dumanin dhe do ia japë Berishës.

“Vendimi i gjyqtares për masën e arrestit mendoj se s’ka të bëjë fare as me Trump as me von der Leyen, as me Melonin. Është vendim procedural, gjyqtarja ka menduar se kushtet e mbajtjes në arrest shtëpiak, kishin rënë për shkak se nuk mund të ndikonte më në prishjen e provave.

SHBA duke qenë demokracia më e madhe në botë, nuk funksionin me takime në korridore apo banjat e takimeve elektorale, por funksionon me një vendimmarrje që fillon nga niveli më i ulët i administratës deri në nivelet më të larta politike.

Kur merren vendime për të goditur krimin dhe korrupsionin në një vend partner nuk ndryshon qasja ndaj korrupsionit dhe krimit në varësi të presidentëve. Ajo është politikë e jashtme konstante”, tha Kulluri.