Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter ka ndërruar jetë ditën e djeshme në moshën 100-vjeçare. Carter vdiq në shtëpinë e tij në Plains, dhe ishte presidenti më i vjetër amerikan i të gjitha kohërave.
Ai shërbeu vetëm një mandat në Shtëpinë e Bardhë (1977-1981), pasi pësoi një humbje të rëndë në zgjedhjet e ardhshme nga ish-aktori dhe guvernatori republikan i Kalifornisë Ronald Reagan.
Por kush ishin ngjarjet dhe krizat që shënuan mandatin e tij?
Lindja e Mesme ishte në qendër të politikës së tij të jashtme. Marrëveshja e paqes e vitit 1979, e bazuar në Marrëveshjet e Camp David, i dha fund gjendjes së luftës midis Egjiptit dhe Izraelit. Carter solli presidentin e atëhershëm egjiptian Anwar Sadat dhe kryeministrin izraelit Menachem Begin në Camp David, rezidenca verore presidenciale, për bisedime. Më vonë, kur filloi të dukej se marrëveshjet po prisheshin, ai e shpëtoi ditën duke shkuar vetë në Kajro dhe Jerusalem.
Me marrëveshjen, Izraeli u tërhoq nga Gadishulli i Sinait dhe të dy vendet vendosën marrëdhënie diplomatike. Dy liderët e tyre u nderuan me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1978.
Megjithatë, deri në vitin 1980, çështjet dominuese ishin ekonomike: inflacioni dyshifror, normat e interesit mbi 20%, çmimi gjithnjë në rritje i gazit. Në të njëjtën kohë, kriza e pengjeve në Iran ishte e turpshme për Amerikën. Këto probleme dëmtuan presidencën e Carter dhe minuan shanset e tij për një mandat të dytë.
Më 4 nëntor 1979, studentët islamikë besnikë të Ayatollah Ruhollah Khomeinit sulmuan ambasadën amerikane në Teheran, morën amerikanët atje peng dhe kërkuan kthimin e Shah Mohammad Reza Pahlavi në vendin e tij për t’u përballur me gjyqin. Shahu në atë kohë po trajtohej në SHBA.
Amerikanët fillimisht e mbështetën Carterin, por përpjekja për të shpëtuar pengjet në prill 1980 rezultoi në vdekjen e tetë ushtarëve amerikanë. Poshtërimi i fundit për presidentin e 39-të ishte se Irani liroi pengjet disa minuta pasi Regani u betua si president më 20 janar 1981.
Në një krizë tjetër, Carter bojkotoi Lojërat Olimpike të Moskës 1980 në shenjë proteste ndaj pushtimit të BRSS në Afganistan. Duke mos marrë parasysh bojkotin, sovjetikët qëndruan në Afganistan për një dekadë.