Ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka zhvendosur miliona. E ardhmja që qëndron tek e shkuara.

Nga Aladin Stafa

Konflikti i vjetër Izrael-Palestinë duket se përbën një nga cështjet më të nxehta të kohëve të fundit. Ai nuk mbeti vetëm një konflikt lokal. Përmasat që mori prej vjeshtës së vitit 2023 e tejkaluan rajonin nga ku nisi, duke e kthyer atë në një konflikt mbarëbotëror.

Mosmarrëveshjet e thella mes dy palëve, jo vetëm që i ka ndarë shtetet në dy kampe respektive por ka krijuar idene se prej aty mund të nisë një Luftë e Tretë Botërore, si një derivim prej luftës në Ukrainë.

Por si lindi konflikti në atë zonë dhe a do të marrë situata një drejtim përfundimtar?

Izraeli është një vend që shtrihet në rajonin e Lindjes së Mesme. Krijimi dhe formimi i kombit të tij është i lidhur ngushtë me civilizimin antik, besimin fetar e deri me politikën moderne në ditët e sotme. Mbështetur tek Bibla, Izraeli është një tokë e premtuar prej Zotit baballarëve të popullit hebre si Jakobi, Isaku dhe Abrahami.

Rreth 1000 p.k. mbreti David, formoi kryeqendrën e parë për popullin hebre, qytetin e Jerusalemit. Me pas, djali i tij, Solomoni, ndërtoi tempullin e parë për ta, gjithashtu.

Por jeta nuk vijoi qetë për popullin hebre. Ata vazhdimisht patën mosmarrëveshje në cështje territoriale, besimi fetar dhe kulturor po aq. Në shekujt e mëvonshëm, sidomos në fundin e shek. të 19-të, Europa njohu një shtim të anti-semitismit, ku Teodor Herzl dhe liderë të tjerë hebrenj vendosën të formonin një atdhe për hebrenjtë pikërisht në Palestinë, një rajon që përafërsisht korrespondon me tokën e Izraelit në traditën hebraike. Pas krijimit të Izraelit, sionizmi u bë një ideologji që mbështet “zhvillimin dhe mbrojtjen e shtetit të Izraelit“.

Kohë më pas, gjatë dy luftrave botërore në vitet 1917-1948, ishin britanikët ata që morën kontrollin territorial në Palestinë. Në vitin 1917 nëpërmjet Deklaratës së Balfour, ata shprehën gjithë mbështetjen e tyre në formimin e një shteti për hebrenjtë. Kjo gjë solli një rritje të tensionit nga pala arabe.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara mbështetën Deklaratën Balfour-it, e cila favorizonte krijimin e një shtëpie kombëtare për hebrenjtë në Palestinë, Presidenti Franklin D. Roosevelt i kishte siguruar arabët në vitin 1945 se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërhynin pa u konsultuar me hebrenjtë dhe arabët në atë rajon. Britanikët, të cilët mbajtën një mandat kolonial për Palestinën deri në maj 1948, e kundërshtuan krijimin e një shteti hebre dhe një shteti arab në Palestinë, si dhe imigrimin e pakufizuar të refugjatëve hebrenj në rajon. Britania e Madhe donte të ruante marrëdhënie të mira me arabët për të mbrojtur interesat e saj jetike politike dhe ekonomike në Palestinë.

Por koha eci dhe në 14 maj të vitit 1948, David Ben-Gurion shpalli pavarësinë e Israelit dhe krijimin e shtetit të tij. Atë kohë u vendos që Organizata e Kombeve të Bashkuara të ishin pro një ndarje të atij territori në dy shtete të ndryshme; Izrael dhe Palestinë.

Izraeli është një komb që përgjatë historisë të tij ka kaluar në shumë luftra, një nga më të paharruarat është ajo 6-ditore në vitin 1967. Pak më vonë ai gjithashtu pati inisiativën për të firmosur dhe dy pakte paqeje, me Egjiptin (1979) dhe me Jordaninë (1994). Fatkeqësisht të dyja nuk sollën një përmisim të situatës.

Cështja shumë e debatueshme edhe sot mbetet gjithsesi thelbi i konflikteve që ndizen herë pas here në rajon. A i përmbush Palestina plotësisht kriteret për t’u deklaruar si një shtet i pavarur apo jo?

Sipas konventës së Montevideos (1933), një shtet që të quhet i pavarur duhet të ketë një popullsi permanente, një territor kufijsh të përcaktuar, një qeveri funksionale dhe kapacitet/aftësi për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera. Sa i përket popullsisë, edhe pse e ndarë në dy territore mund të themi se plotëson kushtin e parë por kriteret e tjera nuk përputhen. Palestina nuk ka territore të definuar. Ajo operon me dy qeveri si ajo e Hamasit në Gaza dhe Autoriteti Palestinez në Bregun Perëndimor, të cilat nuk bashkëpunojnë dhe si pasojë nuk kanë mundësi përfaqësimi më të gjerë.

Izraeli e sheh njohjen e Palestinës nga shtetet e tjera si kundraproduktive sa i përket procesit të paqes duke i anashkaluar negociatat direkte me të.

Ai gjithashtu deklaron se Palestina mbetet një rrezik konstant, njohja e të cilës lë zbuluar Izraelin duke zhvlerësuar nga njëra anë marrëdheniet bilaterale dhe nga ana tjetër duke fuqizuar ato unilaterale.

Një përpjekje për t’u vlerësuar kanë qenë pikërisht marrëveshjet e Oslos ku palët gjetën në një lloj forme asokohe gjuhën e përbashkët. E para u bë në vitin 1993 dhe e dyta në 1995, ku ju la një hapësirë vetë-qeverisëse Palestinës dhe u arrit gjithashtu në një marrëveshje për Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor. Kushti për Izraelin ishte tërheqja e forcave ushtarake nga këto dy zona dhe njohja e Organizatës për Clirimin e Palestinës si autoriteti legjitim i popullit palestinez. Nga ana tjetër kushti për OCP ishte njohja e Izraelit për të ekzistuar dhe heqja dorë nga terrorizmi.

Marrëveshjet e Oslos konsiderohen gjerësisht si marrëveshje ligjërisht të detyrueshme bazuar në ligjin ndërkombëtar sepse ato u nënshkruan nga palë të njohura, u dëshmuan nga aktorë ndërkombëtarë dhe u regjistruan në Kombet e Bashkuara. Ato gjithashtu mbeten një gur themeli i procesit të paqes mes dy popujve dhe një pikë referimi për negociatat e ardhshme.

Po cfarë po ndodh tani ?

Mosmarrëveshjet u ndezën sërish dhe përshkallëzimi i tyre drejt një konflikti të përgjakshëm erdhi në një kohë kur popujt po jetonin një epokë paqeje. Fundi i luftës, thonë ekspertë të gjeopolitikës varet jo vetëm nga këto dy shtete por dhe nga interesa të tjera politike. Izraeli është i vendosur që njohja e Palestinës duhet të kalojë vetëm nëpërmjet tij.

Përvoja ka treguar se historinë gjithmonë e shkruan fituesi por në këtë rast nëse ata, fituesit, nuk mund të na manipulojnë dot, ne, dëshmitarëve të sotëm, pasi kemi fatin ta jetojmë vetë atë – cili prej tyre do të arrijë në fund ta shkruajë atë sipas interesave te veta për brezat e ardhshëm?