“Kënga Magjike” ka hapur natën e dytë të gjysmëfinales në ekranin e Tv Klan. Për mbrëmjen e sotme bashkëprezantuese në krah të Ardit Gjebreas do të jetë balerina e trupës së baletit të “E Diela Shqiptare”, Selin Bollati.
Ardit Gjebrea: Partnerja ime në prezantim e kësaj mbrëmje ka një histori të gjatë dashurie me festivalin magjik. Në heshtje e ka ëndërruar këtë moment teksa jepte lulet dhe kupat për artistët që ngjiteshin në këtë skenë në netët finale vit pas viti. Është rritur në familje “E Diela Shqiptare”. Thjeshtësia, sharmi, eleganca dhe profesionalizmi e kanë karakterizuar në çdo moment dhe natyrshëm erdhi ideja për ta pasur si partnere. Pasi ka kaluar çdo fazë televizive si balerinë, prezantuese promosh dhe minirubrikash dhe ja ku jemi e ftojmë në skenë.
Në këtë moment futen në skenën e “Këngës Magjike” balerinat e të “Dielës Shqiptare” të cilat ‘pretendojnë’ se janë ato që do të bashkëprezantojnë krah Ardit Gjebreas këtë festival. Teksa Arditi ka ndërhyrë duke thënë që është dikush tjetër që do të prezantojë “Këngën Magjike”, balerinat me fjalët më të ëmbla ftojnë atë që do të jetë ylli që do të prezantojë në natën e dytë të gjysmëfinales së Këngës Magjike në ekranin e Tv Klan.
“Sigurisht që do të donim të ishim secila prej nesh këtu, por e vërteta foli. Pavarësisht dëshirës për të qenë secila prej nesh në këtë vend ajo e meriton.”
“Nuk u mërzit asnjëherë me ne. Na e ka marrë zemrën me të butë.”
“Edhe ne që kemi ardhur vite më vonë në “E Diela Shqiptare” na ka pritur plot dashuri.”
“Edhe kur mërzitet në ndonjë moment ajo përsëri buzëqesh dhe sytë i shkëlqejnë nga loti.”
“ Nuk është thjeshtë balerina profesioniste, por vajza më e thjeshtë që kam njohur në botën e ekranit.”
Ardit Gjebrea: Jam i lumtur të jemi sot të gjithë bashkë për të ftuar në skenë një copëz zemre tuajën, sepse ju së bashku jeni zemra e madhe e baletit në Televizionin Klan. Më lejoni të ftoj bashkëprezantuesen e dytë të këtij edicioni Selinë Bollati.
Selin Bollati: Mirëmbrëma të gjithëve. Është vërtetë emocionuese të ndodhem këtu sonte dhe ju jam mirënjohëse jo vetëm për fjalët e mira, por mbi të gjitha për dashurinë dhe suportin tuaj. Ndihem kaq e bekuar për familjen që kam, për ju dhe për këtë natë kaq shumë të ëndërruar. Faleminderit!