Drama shqiptare e gazetares austriake, Blankade Corvin. Dashuria në Vjenë me studentin elbasanas, Adem Balliu, dhe kalvari në burgjet e diktaturës komuniste
Krishtlindje, 25 dhjetor 1965. Në familjen e Shefqet Balliçit, vëllait të Ademit, mbërriti një kartolinë që nuk ishte thjesht një urim festash. E dërgonte Blanka de Corvin. Në të shkruhej vetëm një rresht, disa emra, pjesa tjetër ishte bosh, si një heshtje e thellë që përshkruante më shumë se çdo fjalë e shkruar. Vinte si një hije e së shkuarës për një kujtim të trishtë, për një dashuri të humbur në atë vend të mbyllur në diktaturë.
Blanka de Corvin, një gazetare austriake, u lind në Stamboll, nga një baba austriak dhe një mama ruse. I ati ishte diplomat në Turqi në tetor të vitit 1900, kur erdhi në jetë Blanka. U rrit nëpër disa vende ku me gjasë babai i saj shërbeu si diplomat, për t’u formuar si një gazetare e spikatur investigative. Nga Austria do të ushtronte profesionin e saj në Itali, Gjermani, Jugosllavi dhe më pas në Shqipëri dhe kështu mësoi pesë gjuhë të huaja. Shqipja do të ishte për të gjuha e dashurisë.
Adem Balliçi, një i ri nga Elbasani, ishte larguar nga vendlindja qysh në vitin 1917 për të kryer studimet e mesme dhe universitare në Vjenë. Ademi vinte nga një familje muzikantësh, por kishte zgjedhur të studionte Financë. Gjatë kohës kur ishte student, u njoh me vienënzen e bukur, gazetaren Blanka de Corvin. Pasi përfundoi ciklin e plotë të studimeve në Vjenë, Ademi u kthye në Shqipëri bashkë me të dashurën e tij. Kur Blanka vendosi të ndjekë pas dashurinë e jetës së saj, nuk e kishte menduar kurrë se e priste një kalvar i gjatë vuajesh të pabesueshme për t’u finalizuar me fundin tragjik, humbjen e bashkëshortit të saj, Ademit.
Ka rrëfyer copëza të historisë së tyre, e afërmja e familjes Ademi, Arta Balliçi:
“Pas rreth 10 vjet studime, Adem Balliçi kthehet në atdhe dhe jep kontributin e tij në Ministrinë e Financave. Pas çlirimit të vendit, për Ademin filloi kalvari i vuajtjeve, të cilat e shoqëruan deri ditën që vdiq. Fillimisht pushohet nga puna, ndonëse ishte një intelektual i vërtetë. Në vitin 1947, i sekuestrohet shtëpia në Tiranë me të gjitha plaçkat dhe lihet në mes të katër rrugëve. Të njëjtin fat pësoi edhe bashkëshortja e tij Blanka Corvin nga Vjena e Austrisë, me të cilën bashkëjetoi deri në vdekje. Adem Balliçi, duke qenë me një formim të kompletuar perëndimor, regjimi komunist filloi një persekutim të egër kundrejt tij, duke i mbyllur të gjitha shtigjet e jetës dhe të aktivitetit. Lihet pa shtëpi, pa punë dhe në varfëri të plotë, ashtu si dhe dhjetrafigura të tjera intelektuale të asaj kohe. Në vitin 1948, ai vendoset nga regjimi si llogaritar në fermën e Sukthit, por në atë kohë Sukthi ishte fshat dhe kjo qe për të një mënyrë internimi, izolimi dhe survejimi”, shkruan Arta Balliqi.
Mbijetesa e Blankës
Regjimi komunist do ta arrestonte gazetaren austriake më 28 tetor 1946. Ajo akuzohej si pjesë e grupit agjenturor të “sabotatorëve” të Maliqit. Roli i saj, në këtë rrjet imagjinar, ishte ai i ndërlidhjes së inxhinierëve që punonin për tharjen e kënetës me Harry Fultz-in. Referuar të dhënave që gjenden në dosjet e Sigurimit të Shtetit, studiuesi Kastriot Dervishi shkruan se hetuesi Delo Balili “e torturoi çmendurisht” Blankën për ta vërtetuar akuzën edhe me fjalët e saj. Stërmbesa e bashkëshortit shkruan që Blankën e zhytën në një fuçi me ujë të akullt në mes të dhjetorit dhe kjo nuk ishte tortura e vetme. E megjithatë ajo rezistoi. Shumë njerëz janë dorëzuar, kanë pranuar të firmosin çdo gënjeshtër, vetëm e vetëm që torturat të merrnin fund për pak, të bindur se jeta e tyre kishte marrë fund për fare, por Blanka nuk e pranoi kurrë të nënshkruante një gjë që nuk e kishte bërë kurrë.
Siç shkruan studiuesi Kastriot Dervishi, hetuesit e përpiluan raportin përfundimtar më 16 janar 1948, por Blanka kishte hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke mos pranuar asgjë nga ato që ka mbajtur raporti i përmendur nga Sigurimi. Më 16 dhjetor të 1948-ës, dy vjet e dy muaj pas arrestimit, e dënuan me 10 vite burg, për mosdenoncim arme. Qëndroi në burg katër vjet të tjerë dhe u lirua me amnistinë e 28 nëntorit 1952, pasi kishte marrë mundimin t’i shkruante edhe një letër diktatorit që e mbyllte me lutjen për ta lejuar të kthehej te burri i saj. Më në fund Blanka dhe Ademi u ribashkuan për të qëndruar bashkë edhe për shumë pak kohë.
Ndërsa Blanka vuante këtë kalvar, jeta e Ademit jashtë burgut nuk kishte qenë aq e lehtë. Ademi u pushua nga puna dhe u çua si llogaritar në fermën e Sukthit. Punoi një vit aty dhe u pushua sërish. Nuk kishte shtëpi, nuk kishte pasuri dhe tani nuk kishte as punë. Ky do të ishte dënimi për Ademin. Që nga dita që komunistët morën pushtetin, siç shkruan elbasaniad.org, mbështetur në të dhënat e familjarëve të tij, Ademi punoi vetëm një vit e gjysmë: një vit në Sukth dhe 6 muaj në bibliotekën e Elbasanit dhe pastaj, financieri i diplomuar në Perëndim, do të ishte një i papunë që jetonte falë mbështetjes së familjes së të vëllait. Në këtë familje do të gjente ngrohtësi edhe Blanka, tani që gjithçka tjetër rreth e rrotull ishte bërë kërcënuese dhe armiqësore. E megjithatë, edhe pse e rrënuar fizikisht dhe mendërisht, siç tregojnë fëmijët dhe nipërit e vëllait të Ademit, kjo grua nuk e humbi zemërgjerësinë. Nuk e humbi as besimin në Zot dhe tani, duke menduar që ishte përsëri e lirë, iu rikthye praktikimit të fesë, e cila ishte ende e lejuar në Shqipëri. Blanka udhëtonte shpesh nga Elbasani, ku jetonte me bashkëshortin, për në Tiranë për të shkuar në kishën katolike, por shumë shpejt këto udhëtime do të interpretoheshin si lëvizjet e një agjenteje, siç ishin interpretuar më parë të gjitha udhëtimet e saj në shtete të ndryshme, si gazetare. Dokumentet, të zbuluara nga Kastriot Dervishi, tregojnë që në vitin 1960, Blanka ishte sërish në përgjim si “agjente angleze”, ndërkohë që bashkëshorti, survejohej si “agjent gjerman”. Për jetët e tyre gjithmonë e më të zbrazura, ndërtoheshin skenare gjithmonë e më të komplikuara, në dosjet e Sigurimit. Më 25 dhjetor 1962, Ademi ndërroi jetë. Një goditje shumë e rëndë për Blankën që u pasua me një pasgoditje edhe më të hidhur. Komunistët e akuzuan atë si vrasëse të bashkëshortit. Edhe një herë tjetër Blanka duhej të përballej me akuza të pavërteta, por kjo ishte më e rënda nga të gjitha. Blanka u arrestua për herë të dytë. Trupi i Ademit iu nënshtrua ekspertizës ligjore. Të afërmit e tij, duhet të gjenin mes dhimbjes, forcën për të mbrojtur Blankën e pafajshme. Pasi nuk gjetën asnjë provë për akuzën makabre, Blankën e lejuan të dilte nga biruca dhe Ademi u përcoll për në banesën e fundit dy ditë pasi kishte ndërruar jetë.
Një vit më pas, Blanka u rikthye në vendin e saj. U takua me të ëmën dhe dy motrat. Krishtlindja për të nuk ishte më një festë, por dhimbje, sepse në atë datë do ta kujtonte gjithmonë historinë e dhimbshme të jetës së saj. Kalvarin e vuajtjeve e mundimeve në diktaturë dhe humbjen e bashkëshortit Adem Balliçi.