Nga Denis Dyrnjaja/

Një video ku mendohet se shfaqet ish këngëtarja e muzikës së lehtë dhe popullore e Shqipërisë Parashqevi Somaku, po përdoret masivisht nga njerëz të njohur e të panjohur në formë keqardhjeje. Në gjithë këtë koloni keqardhësish ka nga ata që vërtetë nostalgjia i lidh me kujtimet e së shkuarës dhe prej saj ndjejnë një lloj emocioni me kujtime e pasazhe të jetës së tyre, sikurse ka edhe nga ata që e kanë hartimin e radhës për pak vëmendje. Tani për të gjithë në tërësi pyetja që vjen natyrshëm është: po mirë përse kujtoheni gjithnjë për njerëzit, sidomos (të famshmit) o kur bien në hall, ose pasi vdesin?! Askush nuk kujtohet për ta sa janë gjallë.

Si jetojnë, ku jetojnë me çfarë jetojnë, a kanë mundësi të jetojnë, jetojnë me dinjitetin e merituar për atë që kanë dhënë për publikun dhe kombin? Jo për këto kujtohemi ose kur ata bëhen lajm për keq, ose pasi ikin nga kjo jetë, sepse harrojmë se edhe ata janë njerëz. Kanë një jetë sociale me ulje ngritjet e tyre. Dhe pasi ndodhin fatalitetet me ta, shfaqen nostalgjikët dhe elozhëtarët. Shfaqet i gjithë spektri i mundshëm i keqardhjes deri në për shpirtje, që në fakt është edhe cinizmi me i madh dhe hipokrizia më e neveritshme. Tani dy fjalë për Parashqevi Simakun.

Si miliona shqiptarë i përkas atij brezi që e kam njohur, ndjekur dhe adhuruar nga ekrani. Ishte e famshme në Shqipërinë e varfër nga diktatura dhe mesa duket Parashqevia mendoi se fama e këtushme konventohet edhe jashtë njëlloj. Përtej disa privilegjeve sa mund të konsiderohej e tillë edhe fama, të gjithë në Shqipërine e diktaturës ishim njëlloj të varfër e me pak mundësi ekonomike. Artistët dhe sportistët kishin një lloj privilegji nga pjesa tjetër e shoqërisë në tërësi për të patur disa elementë bazikë ekstra që ndoshta u jepnin atyre atë veçantësinë nga pjesa tjetër. Pra e gjitha ishte falë famës. Parashqevia ishte njëra prej tyre ndoshta dhe më e famshmja.

Ndoshta mendoi se atë që i ofronte Shqipëria nuk ishte ajo që i takonte. Dhe kështu pas viteve ’90 kur këtu nisi demokracia ajo vendosi të ndjekë ëndrrën amerikane të filmave që na dukej një mrekulli. E tentoi me të gjithë të drejtën e vet dhe të zotit të krijojë një jetë të re profesionale e personale. Dështoi. Është njerëzore. Nuk i ka ndodhur vetëm Parashqevi Somakut, por u ka ndodhur me qindra e mijëra personazheve të famshëm, në Francë, në Itali, Angli dhe sigurisht edhe në Amerikë dhe jo vetëm shqiptarë. Dikujt i prin fati e dikujt jo. Ka edhe prej tyre që e gjuajnë me këmbë fatin e tyre sikurse thotë një shprehje shqiptare. Ndoshta Parashqevia në kërkim të një fame më të madhe, në fakt gjuajti pa dashje me shkelm fatin e saj.

Një shprehje tjetër po popullore thotë “më mirë i pari i katundit se i fundit i qytetit. Ndaj se kush bën zgjedhjet e tij në jetë. Shumë kolege të Parashqevisë bënë një zgjedhje tjetër, qëndruan në Shqipëri e sot falë talentit, aftësive dhe dashurisë së publikut gëzojnë edhe respekt, edhe status shoqëror dhe status ekonomik dinjitoz. Motrat Libohova, histori suksesi, Aurela Gaçe histori suksesi, Eli Fara apo Bujar Qamili Gjithashtu. Ndërkohë Mertita Halili, e Gëzim Nika në Amerikë janë përsëri histori suksesi.

Përmenda vetëm disa emra për të ilustruar faktin se kush bëri zgjedhjen dhe mënyrën e duhur pati edhe fatin me vete. Ka shumë të tjerë si ata që u ka prirë e mbara sikurse ka edhe nga ata që kanë dështuar. E tillë është jeta, i tillë është arti, i tillë edhe fati. Pra njerëzit e zgjedhin vetë rrugën dhe në një farë mënyre e shkruajnë vetë fatin e tyre me atë që kërkojnë dhe pretendojnë. Parashqevia ndoshta disi nga pretendimet, disi nga fati i keq pati një histori dështimi dhe kjo për zgjedhjen personale të saj si të gjithkujt.

Tani për këta keqardhësit kolektivë që aktivizohen sa herë shfaqet një “viktimë” prej fatit të së cilës, a cilit kërkojnë të marrin vëmendje. Nëse keni pak njerëzillëk, ktheni sytë e vëmendjen te njerëzit e artit, kulturës e sportit apo njerëzit që kanë dhënë kontribute për vendin dhe kombin, jo kur ata janë rrënuar apo largohen kjo jetë. Jepuni vëmendje dhe dinjitet sot, tani, nesër dhe çdo ditë. Ata nuk i dëgjojnë apo lexojnë hartimet me keqardhje e hipokrizi kur nuk do të jenë më ose kur hallet e problemet e jetës i kanë vënë poshtë përdhunshëm. Ata kanë nevojë për dinjitet, jo për lëmoshë, sidomos lëmoshë me dashuri të rrejshme.

Boll bëtë sikur…një komb duket sa dinjitet ka jo nga fjalët, por nga faktet se si trajton elitën e tij, e faktet na turpërojnë. Ndaj Parashqevia është një mundësi për të kthyer sytë te ata artistë, sportistë shkencëtarë, poetë, studiues e shkrimtarë që t’i nderojmë me dinjitet dhe në kohën e duhur përmes akteve jo hipokrizisë e fjalëve!