Një shprehje thotë, mes të tjerash, se futbolli bashkon.
Mirëpo mesa duket ky “ligj universal” i sportit më të dashur e më të ndjekur në botë duket se nuk vlen kur bëhet fjalë për FSHF dhe organizatorët e ligës amatore Sunday League Albania.
Pas akuzave të shumta të mjaft ekipeve pjesëmarrëse për gjykim jo të drejtë dhe mungesë korrektësie e organizimi nga ato të cilët duhej të kujdeseshin për mbarëvajtjen e këtij kompeticioni ka ardhur edhe vendimi drastik i një prej ekipeve pjesëmarrëse.
Ditën e sotme përmes një njoftimi në rrjetet sociale drejtuesit e Barrikada FC së bashku me të gjithë orgnikën e ekipit kanë vendosur të tërihqen nga çdo garë që organizohet nga FSHF dhe Sunday League Albania.
Arsyet e këtij vendimi janë renditur në njoftimin e bërë publik në faqen zyrtare të Barrikada FC ku mes të tjerash bëhet me dije se:
“Pas një periudhe të gjatë reflektimi dhe analize të situatës në kampionatet ku kemi marrë pjesë, kemi vendosur të tërhiqemi përfundimisht nga çdo garë e organizuar nga FSHF dhe Sunday League Albania.”
Vendimi i parevokueshëm vjen në radhë të parë si pasojë e papërgjegjshmërisë së organizatorëve të Sunday League duke ndikuar negativisht në cilësinë dhe ndershmërinë e garave, thuhet në njoftim.
Nga ana tjetër klanet, korrupsioni, arroganca dhe mungesa e respektit duke zhbërë garën e drejtë për hir të interesave të ngushta të organizatorëve, janë të tjera arsye që kushtëzuan dhe shtynë ekipin e Barrikada FC në marrjen e këtij vendimi drastik.
Njoftimi i plotë i Barrikada Football Club:
Deklaratë
Pas një periudhe të gjatë reflektimi dhe analize të situatës në kampionatet ku kemi marrë pjesë, kemi vendosur të tërhiqemi përfundimisht nga çdo garë e organizuar nga FSHF dhe Sunday League Albania.
Ky vendim i parevokueshëm është marrë jo vetëm në respekt të integritetit dhe parimeve që kanë udhëhequr Barrikada Football Club që nga krijimi i tij, por edhe si reagim ndaj një sërë problematikash serioze që kemi hasur gjatë pjesëmarrjes sonë:
• Papërgjegjshmëria në organizimin e aktiviteteve sportive, që ka ndikuar negativisht në cilësinë dhe ndershmërinë e garave.
• Klanet dhe korrupsioni, të cilët kanë deformuar konkurrencën e drejtë dhe kanë favorizuar interesa të ngushta mbi meritokracinë.
• Arroganca dhe mungesa e respektit, që ka cënuar raportin mes organizatorëve dhe ekipeve pjesëmarrëse, duke krijuar një klimë të pashëndetshme sportive.
Barrikada Football Club është ndërtuar mbi vlera të ndershmërisë, bashkëpunimit dhe respektit për lojën e bukur. Duke parë se këto vlera nuk përputhen me realitetin e garave ku kemi marrë pjesë, kemi zgjedhur të largohemi, për të ruajtur identitetin dhe filozofinë tonë.
Falënderojmë nga zemra lojtarët tanë, tifozët dhe të gjithë ata që na kanë mbështetur gjatë këtij udhëtimi të jashtëzakonshëm. Kujtimet dhe përvojat e ndara do të mbeten të paharrueshme.
Barrikada Football Club do të vijojë të qëndrojë si simbol i pasionit dhe bashkimit për futbollin, dhe në të ardhmen do të angazhohemi në projekte të tjera që përfaqësojnë vlerat tona.
Me respekt,
Barrikada Football Club
18 Dhjetor 2024.