Çedomir Aksiç është dënuar me 15 vite burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë për krime lufte të kryera në komunën e Shtimes.
Gjykimi ndaj Aksiç është zhvilluar në mungesë dhe ai është dënuar për krime që, sipas aktakuzës, janë kryer në periudhën janar-maj 1999. Ky është rasti i parë i një gjykimi të tillë, pasi gjykimet në mungesë lejohen me Kodin e ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, Çedomir Aksiç, së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, kishte urdhëruar dëbimin e banorëve në komunën e Shtimes, kishin djegur shtëpitë e të dëbuarve, dhe me pas është akuzuar se ka ekzekutuar një person.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, Aksiç kishte marrë pjesë në vrasjen e shtetasve kosovare Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës, në Reçak. Sipas aktakuzës, Aksiç është i lindur në Shtime, por adresa e tij aktuale është në Serbi.
Në luftën e viteve 1998-1999 mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në Kosovë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë.