Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar qëndrimin të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për Listën Serbe. Kurti tha në konferencën për mediat se nuk mund të pritej një qëndrim ndryshe, kur sipas tij nënkryetari i Listës Serbe ka pranuar se ka kryer sulm terrorist në veri të Kosovës.

“Askush nuk ka mundur të pres që do të jetë ndryshe qëndrimi i përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ dhe le të mos harrojmë se edhe para sulmit terrorist në Banjskë. Lista Serbe ka qenë shumë problematike dhe përshkallëzimi i situatës vjen kur ata me urdhër nga Beogradi dhanë dorëheqje në veri të Kosovës, në gjyqësi, në komuna dhe polici. E kur kësaj ia shtojmë edhe sulmin terroristë në Basnjskë të Zveçanit, i cili është kryer nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i cili vazhdon të jetë shefi i Listës Serbe, sepse eksponentët e Listës serbe takohen me Radoiçiqin në Serbi, marrin instruksione apo urdhra prej tij, është e qartë se qëndrimi i LVV-së që i kemi përfaqësuesit në KQZ, nuk ka mundur të jetë ndryshe. Ne në të njëjtën kohe kemi paralajmëruar se çka po ndodh, sepse e kemi policin e vrarë, i kemi fëmijët e tij jetimë. Dhe në anën tjetër e kemi Radoiçiç në liri në Serbi, i cili planifikon sulme të reja, e disa prej tyre i realizon, ndonëse është i pakënaqur me dëmet që na kanë shkaktuar sikurse ky më 29 nëntor në Iber – Lepenc. Qëndrimi negativ, veprimet destruktive dhe sjellja penguese të Listës Serbe ndaj Kosovës janë të njohura për të gjithë. Lista Serbe fatkeqësisht po e përfaqëson shtrirjen e gjerë dhe shkallën e lartë të ndërhyrjes së Serbisë në punët e brendshme të Kosovës dhe në zgjedhjet tona demokratike”, tha Kurti.

Kreu i qeverisë u shpreh se Lista Serbe nuk është shprehje e organizimit të serbëve në Kosovë, por është diktat i serbëve të Kosovës, me në krye Milan Radoiçiç. Ai është pyetur nga gazetarët nëse Listën Serbe do ta shpallin si organizatë terroriste. Në përgjigjen e tij, kryeministri tha se bëhet fjalë për një parti politike që është e ndryshme me dy organizatat që janë shpallur terroriste dhe i mbetet organeve të drejtësisë të sjellin dëshmi për lidhjet e tyre.