Besimtarët e krishterë kremtojnë sot festën e Krishtlindjes, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin fetar.Në Tiranë mesha e ‘Vigjiljes së Krishtit’ u mbajt në Katedralen e ‘Shën Palit’ dhe u ndoq nga mijëra besimtarë. Kreu i kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës, Arjan Dodaj drejtoi meshën për besimtarët katolikë, ndërsa përcolli edhe mesazhin e tij për Krishtlindje. Duke theksuar se ky vit Jubile është cilësuar si vit i shpresës, Dodaj tha se shoqëria duhet të përqëndrohet te edukimi i brezave të tij.

“Kemi nevojë t’i edukojmë brezat e ri tek shpresa sepse janë të shpërqëndruar nga gjërat e kota, nuk dinë të shoihin gjërat e bukura. Kush nuk ka shpresë nuk ka familje, nuk jeton në rrjet, nuk është online me dashurinë me fenë e Zotin”,-tha ai.

Ndërkohë, sipas traditës, besimtarët ortodoksë i ngjitën herët mëngjesin e 25 dhjetorit shkallët e katedrales “Ngjallja e Krishtit” për të marrë pjesë në meshën e Krishtlindjeve, që u udhëhoq nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos. Kryepeshkopi bëri thirrje për më shumë paqe dhe harmoni. Besimtarët ortodoksë u lutën për shëndet, dashuri, mirëqenie dhe mbarësi për të gjithë shqiptarët.

Krerët më të lartë të shtetit dhe politikës uruan besimtarët për Krishtlindje. Presidenti, Bajram Begaj, vizitoi Katedralen Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, ku u prit nga Kryepeshkopi Janullatos. Begaj ka ndarë një status në Facebook, duke uruar shëndet, paqe dhe lumturi për të gjithë.

“Krishtlindja, na fton të ndalemi për një çast e të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit: dashurisë, solidaritetin, mirëkuptimin dhe faljen’-uron Begaj.

Kryeministri Edi Rama ka uruar gjithashtu të gjithë besimtarëve të krishterë, Gëzuar Krishtlindjen.

“Mirë mëngjes dhe me këtë ikonë të saporestauruar, që na vjen si dëshmi arti dhe besimi që prej shek. XVII, ju uroj të gjithë besimtarëve të krishterë, Gëzuar Krishtlindjen”, shprehet Rama.

Ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zgjodhi një foto të tij së bashku me bashkëshorten.

“Bekimet e kësaj nate, për ju dhe më të dashurit tuaj miq!,”-u shpreh Berisha.

Krishtlindja konsiderohet si një nga festat më të bukura, ku përkujtohet lindja e Jezu Krishtit, birit të Perëndisë, i cilësuar si shpëtimtari i njerëzimit. Simbol i saj është pema e Krishtlindjes, ndërsa në këtë ditë nuk mungojnë as dhuratat dhe gatimet tradicionale.