Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka akuzuar Rusinë për përdorimin e migracionit të paligjshëm në Evropë për të destabilizuar unionin.
Sipas mediave të huaja, duke folur në një konferencë shtypi në Finlandë dje, zonja Meloni tha: “Ne duhet të kuptojmë se kërcënimi është shumë më i gjerë nga sa imagjinojmë.”
Ajo vazhdoi duke thënë se rreziku për sigurinë e BE-së nga Rusia apo nga vende të tjera nuk do të ndalet pasi të përfundojë konflikti në Ukrainë dhe BE-ja duhet të jetë e përgatitur për këtë.
“Ka të bëjë me demokracinë tonë, ka të bëjë me ndikimin në opinionin tonë publik, ka të bëjë me atë që ndodh në Afrikë, ka të bëjë me lëndët e para, ka të bëjë me instrumentalizimin e migracionit”, shtoi ajo.
“Ne duhet të dimë se është një ide shumë e gjerë e sigurisë”, tha Meloni më tej. Ajo gjithashtu i kërkoi BE-së të bëjë më shumë për të mbrojtur kufijtë e saj.